Operacioni “Heshtja”: Çfarë deklaruan gjashtë të dyshuarit në seancën gjyqësore?

Operacioni “Heshtja”: Çfarë deklaruan gjashtë të dyshuarit në seancën gjyqësore?

Operacioni “Heshtja”: Çfarë deklaruan gjashtë të dyshuarit në seancën gjyqësore?

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur sot seanca dëgjimore lidhur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj personave të dyshuar në rastin e aksionit policor “Heshtja”, ku u arrestua edhe ish-ministri Astrit Haraqija.

Sponsor 3M Express

Gjatë seancës, të dyshuarit kundërshtuan kërkesën për paraburgim, ndërsa avokatët e tyre kërkuan masa më të buta, duke argumentuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e tyre në paraburgim.

Jeton Statovci e kundërshtoi paraburgimin, duke deklaruar se në katër apo pesë prona të tij nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

Gëzim Feka gjithashtu e kundërshtoi kërkesën, ndërsa tha se pjesën tjetër të deklarimit ia lë mbrojtjes. Avokati i tij pretendoi se prokuroria nuk i ka individualizuar mjaftueshëm veprimet e klientit të tij dhe kërkoi arrest shtëpiak ose një masë tjetër më të lehtë.

Arjanit Beqiri tha se e kundërshton paraburgimin dhe i premtoi gjykatës se do t’u përgjigjet ftesave. Avokati i tij kundërshtoi provat e paraqitura nga prokuroria, duke pretenduar se disa prej sendeve të sekuestruara nuk lidhen me veprën penale për të cilën dyshohet klienti i tij.

Albana Xhemjali Ramadani e kundërshtoi kërkesën për paraburgim, ndërsa pjesën tjetër ia la mbrojtjes. Avokati i saj tha se klientja ka bashkëpunuar me policinë, ka vendbanim dhe familje në Kosovë dhe nuk paraqet rrezik për procedurën. Ai kërkoi që asaj t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak.

Astrit Haraqija deklaroi se e kundërshton plotësisht paraburgimin. Ai tha se gjithmonë u është përgjigjur ftesave të gjykatës dhe policisë, ndërsa lidhur me armën e sekuestruar tha se leja e saj kishte skaduar. Haraqija theksoi se është 54 vjeç dhe premtoi se do t’u përgjigjet edhe në të ardhmen ftesave të institucioneve.

Avokati i tij, Korab Bokshi, kundërshtoi në tërësi kërkesën e prokurorisë. Ai vuri në pah atë që e cilësoi si mospërputhje në pretendimet e prokurorisë, duke pyetur se si Haraqija mund të paraqitet si furnizues i grupit, kur në një pjesë tjetër të kërkesës pretendohet se ai kishte blerë një gram narkotik nga një anëtar i grupit. Mbrojtja tha gjithashtu se Haraqija ishte paraqitur vetë në polici, kishte dorëzuar dy telefona dhe kodet e tyre, si dhe kishte asistuar gjatë kontrollit të banesës.

Alban Maloku, sipas deklarimit të shënuar në procesverbal me emrin Alban Makolli, e kundërshtoi paraburgimin dhe kërkoi një masë më të lehtë. Ai premtoi se nuk do të ndikojë në hetime, nuk do të largohet nga Kosova dhe do t’u përgjigjet ftesave të gjykatës. Avokati i tij kundërshtoi dyshimet e prokurorisë dhe pretendoi se sasia e narkotikëve e gjetur në shtëpi ishte për përdorim personal të klientit të tij.

Seanca përfundoi në orën 13:30. Në procesverbalin e seancës që kemi shqyrtuar nuk figuron vendimi përfundimtar i gjykatës lidhur me kërkesën për paraburgim.

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

Grupi i kokainës: Kush është furnizuesi i “Dajës” dhe ish-ministrit Haraqija, që i shpëtoi arrestimit

Grupi i kokainës: Kush është furnizuesi i “Dajës” dhe ish-ministrit Haraqija, që i shpëtoi arrestimit

Pas tetë vitesh në krye të Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta emërohet këshilltar në Ferizaj

Pas tetë vitesh në krye të Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta emërohet këshilltar në Ferizaj

Ahmeti: Vendimi për ndalimin e tregtimit të energjisë me Serbinë është jashtëzakonisht i vonshëm

Ahmeti: Vendimi për ndalimin e tregtimit të energjisë me Serbinë është jashtëzakonisht i vonshëm