Sipas “Sky Deutschland”, në Mynih ekziston bindja se duhet bërë gjithçka për ta mbajtur Olisen për një kohë sa më të gjatë në skuadër.
Paraqitjet e tij kanë rritur rëndësinë e francezit në projektin sportiv të klubit, ndaj Bayerni është i gatshëm t’i ofrojë kushte të përmirësuara financiare.

Nëse arrihet marrëveshja e re, Olise pritet të bëhet futbollisti më i paguar në historinë e klubit bavarez.
Aktualisht, Harry Kane dhe Jamal Musiala raportohet se përfitojnë rreth 25 milionë euro në sezon secili. Megjithatë, oferta e mundshme për Olisen pritet ta tejkalojë këtë shumë, në përpjekje për të siguruar vazhdimësinë e tij në “Allianz Arena”.
Interesimi për francezin nuk mungon as nga klubet e tjera të mëdha evropiane. Sipas të njëjtit burim, Real Madridi e ka përcjellë nga afër situatën e tij, por aktualisht nuk priten zhvillime të papritura.
Burimet e cituara nga “Sky Deutschland” vlerësojnë se gjasat që Olise të rinovojë kontratën me Bayernin janë të larta.
Tashmë mbetet të shihet se kur do të nisin zyrtarisht negociatat dhe nëse drejtuesit bavarezë do të arrijnë ta bindin një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës që të vazhdojë aventurën në Mynih.
Burimi: RTKLive




