Qeveria e Norvegjisë ka njoftuar synimin për të zgjeruar nismën ligjore për mbrojtjen e fëmijëve në internet, duke përfshirë disa platforma lojërash dhe rrjetesh sociale në propozimin që u ndalon qasjen personave nën 16 vjeç.

Autoritetet në Oslo pritet ta dërgojnë projektligjin në parlament deri në fund të këtij viti, duke e riformuluar kufirin e moshës në mënyrë që të shënjestrohen posaçërisht platformat e cilësuara si të dëmshme.
Sipas njoftimit zyrtar të ekzekutivit norvegjez, të dëmshme konsiderohen ato hapësira digjitale që me anë të dizajnit, funksioneve apo përmbajtjes së tyre rrezikojnë sigurinë, si dhe shëndetin emocional, kognitiv e zhvillimor të fëmijëve.
Në këtë kuadër, në formën e tyre të tanishme, platforma të njohura si TikTok, Snapchat dhe platforma e lojërave Roblox parashikohet të bien plotësisht nën fushëveprimin e këtij ligji, raporton euronews, transmeton Klankosova.tv.
Sipas propozimit, ndalesa do të jetë e vlefshme deri më 1 janar të vitit kur i mituri mbush 16 vjeç. Përgjegjësia kryesore për të ndërtuar mekanizma efikasë të verifikimit të moshës do t’u ngarkohet vetë kompanive teknologjike dhe platformave përkatëse.
Megjithatë, duke qenë se qeveria laburiste norvegjeze operon si qeveri e pakicës, miratimi përfundimtar i projektligjit kërkon mbështetjen e partive të tjera politike në parlament
Iniciativa e Norvegjisë pason vendime të ngjashme në skenën ndërkombëtare: Australia vitin e kaluar miratoi një ligj që u ndalon hyrjen në rrjete sociale personave nën 16 vjeç, teksa Bashkimi Evropian po planifikon vendosjen e kufizimeve të shkallëzuara në bazë të fashave të moshës.




