Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në zonën e Kolonos në Athinë, ku një 36-vjeçar me origjinë shqiptare ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Ekzekutimi me armë ndaj të riut ndodhi fillimisht në sheshin pranë kishës së zonës. Pavarësisht se u godit me plumb në zonën e barkut, 36-vjeçari arriti të largohej me vrap për rreth 150 metra nga vendi i ngjarjes, duke u strehuar brenda automjetit të tij të parkuar në rrugën “Lenorman”.
Policia u njoftua nga banorët e zonës dhe me të mbërritur në vendngjarje gjeti dy gëzhoja plumbash si dhe të riun shqiptar të shtrirë e të gjakosur brenda makinës.
I plagosuri u transportua me urgjencë nga ekipet e EKAB-it drejt spitalit “Attikon”, ku ndodhet nën kujdesin e rreptë mjekësor për shkak të plagëve të rënda.
Në kuadër të hetimit për zbardhjen e ngjarjes, autoritetet policore kanë shoqëruar dy persona të cilët po merren në pyetje. Deri më tani mbeten të paqarta motivet e këtij atentati, ndërsa hetimet intensive po vijojnë për zbulimin dhe arrestimin e autorëve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




