Nga Irani në Kosovë, e fshehur në mallra komerciale – Detaje për aksionin ku u sekuestruan 37 kilogramë heroinë

Nga Irani në Kosovë, e fshehur në mallra komerciale – Detaje për aksionin ku u sekuestruan 37 kilogramë heroinë

Nga Irani në Kosovë, e fshehur në mallra komerciale – Detaje për aksionin ku u sekuestruan 37 kilogramë heroinë

Mbi 37 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë, me vlerë të vlerësuar rreth 550 mijë euro, janë sekuestruar në operacionin e përbashkët të Prokurorisë Speciale, Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Aksioni i koduar “Rikthimi” është realizuar pas një hetimi ndaj një grupi të dyshuar kriminal të organizuar. Gjatë operacionit janë kontrolluar pesë lokacione dhe janë arrestuar pesë persona, dy shtetas të Turqisë, një i Maqedonisë së Veriut dhe dy shtetas të Kosovës.

Sponsor 3M Express

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca, ka thënë se aksioni është rezultat i një hetimi të nisur mbi bazën e informacioneve të siguruara nga AKI-ja.

“Mbrëmë Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ka realizuar me sukses një aksion gjatë të cilit janë arrestuar pesë persona, dy prej të cilëve shtetas të huaj. Dhe njëkohësisht janë sekuestruar mbi 37 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë. Ky aksion është rezultat i një hetimi të filluar së fundmi mbi bazën e informacioneve të siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, falë profesionalizmit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë. Hetimi është konkretizuar me këtë rezultat brenda një afati rekord. Për këtë dua të falënderoj veçanërisht të gjithë të angazhuarit në këtë aksion, të cilët me profesionalizëm dhe me përgjegjësi kanë ruajtur konfidencialitetin e hetimit, çka ishte kyçe për suksesin e këtij aksioni. Prokuroria Speciale do të luftojë pa kompromis krimin e organizuar dhe trafikimin e narkotikëve, pavarësisht se kush qëndron prapa tyre. Në këtë përballje, prokurorët dhe hetuesit do të kenë mbështetjen time të plotë për zbatimin e ligjit dhe vënien para përgjegjësisë”, ka thënë Paca.

Ndërkaq, prokurori i rastit, Atdhe Dema, ka bërë të ditur se vlera e substancës së sekuestruar vlerësohet në 550 mijë euro, ndërsa lloji i saj do të konfirmohet pas analizave laboratorike.

“Si rezultat i veprimeve dhe hetimeve të ndërmarra, ashtu siç u cek, janë arrestuar pesë persona dhe është sekuestruar, e konfiskuar sasi 37 kilogramë, në vlerë prej 550 000 euro. Sasia e saktë e llojit të substancës do të konfirmohet pas verifikimeve të cilat do të bëhen dhe analizave të duhura. Megjithatë, dyshimi i parë është se bëhet fjalë për substanca narkotike, dhe atëherë të llojit heroinë. Bëhet fjalë për grup mirë të organizuar, si strukturë kriminale, dhe e cila lidhet me veprën penale të blerjes, shpërndarjes narkotikëve. Ndaj të dyshuarve, veçse është shqiptuar vendimi me ndalim prej 48 orëve dhe për këtë moment që flas me ju, jemi në fazën e përgatitjes së gjithë dokumentacionit të cilin e kërkon procedura penale që të vazhdohet tutje me procedurë”, ka deklaruar Dema.

Detaje për mënyrën e transportimit dhe paketimit të drogës ka dhënë Reshat Murseli nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Policinë e Kosovës.

Ai ka thënë se hetimet ishin zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale dhe AKI-në, ndërsa plani taktik-operativ për realizimin e aksionit ishte koduar me emrin “Rikthimi”.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, Sektori Qendror i Hetimeve, në bashkërendim me PSRK-në, prokurorin e çështjes, zotin Dema, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë për Inteligjencë të Kosovës, kohë më parë e kemi nisur hetimin intensiv në ndjekje të një grupi kriminal nën dyshimin e bazuar se janë duke kryer vepra penale të cekura nga prokurorët e nderuar, që kanë të bëjnë kryesisht me veprat penale të narkotikëve dhe krimit të organizuar, të parapara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Në bashkërendim të këtyre veprimeve me Prokurorinë Speciale dhe në mbështetje të AKI-së, për një periudhë të caktuar rekorde hetimore kemi mbledhur provat e mjaftueshme që e vërtetojnë dyshimin e bazuar të veprës penale dhe për këtë, më datën 3, kemi organizuar planin taktik-operativ të koduar ‘Rikthimi’”, ka thënë Murseli.

Sipas Murselit, në depon e bastisur në rajonin e Ferizajt është gjetur fillimisht një sasi e drogës në një qese najloni, e cila pas testimit ka rezultuar të jetë heroinë. Aty janë gjetur edhe 61 paketime të tjera, të kamufluara brenda mallrave komerciale, ndërsa një kilogram tjetër i dyshuar për heroinë është zbuluar në njërën nga banesat e kontrolluara.

“Në depo fillimisht policia ka gjetur një sasi të drogës së dyshuar, e cila në testim rezultant ka dalë të jetë heroinë, e vendosur në një qese najloni, dhe më pas është gjetur edhe një sasi e drogës e ndarë në 61 paketime të prezantuara tani para jush, e cila ishte e kamufluar në një pako letre brenda disa mallrave komerciale. Po ashtu, në njërën nga banesat e bastisura, te i dyshuari i shtetësisë turke, është gjetur dhe konfiskuar edhe një sasi prej një kilogrami e dyshuar për heroinë. Domethënë, në total kemi gjetur 62 paketime në peshë totale mbi 37 kilogramë. Në vendin e ngjarjes, në depo, është identifikuar edhe një mjet, apo si themi ne, makinë presatimi, e cila shërben për presimin e drogës. Kjo lë për të kuptuar se të dyshuarit kanë pasur edhe qëllim të shtimit të sasive dhe përpunimit të saj, dhe i njëjti mjet konfiskohet si provë materiale. Në total, gjatë këtij operacioni policor u kontrolluan pesë lokacione të dyshuara dhe objekte përcjellëse. U arrestuan pesë të dyshuar, dy nga ta shtetas turq, një shtetas i Maqedonisë së Veriut, dhe dy shtetas shqiptarë të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Murseli ka bërë të ditur se droga dyshohet se ishte transportuar nga vendet aziatike të Lindjes së Mesme, e kamufluar në mallra komerciale. Ai ka treguar edhe për provat e tjera të sekuestruara gjatë operacionit.

“Ndërsa në cilësi të provës materiale, përveç drogës heroinë që cekëm, 37 kilogramë, u sekuestruan para të gatshme në vlerë 5 300 euro dhe 100 dollarë. U sekuestrua një veturë e dyshuar e përfshirë në vepër penale, dhjetë telefona celularë, një DVR i kamerave, 15 fishekë të kalibrit 9 x 90 milimetra dhe një prerëse. Modus operandi i kësaj vepre penale, sipas hetimit që kemi zhvilluar, dyshohet se grupi kriminal sasinë e narkotikut e ka transportuar të kamufluar në mallra komerciale nga vendet aziatike të Lindjes së Mesme”, ka thënë Murseli.

Përveç mbi 37 kilogramëve heroinë, gjatë aksionit janë sekuestruar 5 mijë e 300 euro, 100 dollarë, një veturë, dhjetë telefona celularë, pajisje DVR e kamerave të sigurisë, 15 fishekë dhe një prerëse. Po ashtu, është konfiskuar edhe një makinë për presimin e drogës.

Pesë të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.

Burimi: Dukagjini

Lexo edhe

Fshehu shtëpinë dhe pensionin në Kosovë për të marrë ndihma sociale në Austri, detyrohet të kthejë 9 mijë euro

Fshehu shtëpinë dhe pensionin në Kosovë për të marrë ndihma sociale në Austri, detyrohet të kthejë 9 mijë euro

KE: Fragmentimi politik ka penguar përparimin e Kosovës në reformat kyçe

KE: Fragmentimi politik ka penguar përparimin e Kosovës në reformat kyçe

Prishtina ‘rrëzon’ Dritën në Gjilan, merr kreun e Superligës

Prishtina ‘rrëzon’ Dritën në Gjilan, merr kreun e Superligës

Nga Irani në Kosovë, e fshehur në mallra komerciale – Detaje për aksionin ku u sekuestruan 37 kilogramë heroinë | Momenti