Skuadra e drejtuar nga Orges Shehi arriti të dalë fituese në një përballje të fortë në Gjilan, duke ndërprerë serinë prej katër fitoreve radhazi të vendasve në kampionat. Njëkohësisht, kryeqytetasit morën një lloj revanshi për humbjen e pësuar nga Drita në Hajvali disa javë më parë.
Mysafirët kaluan në epërsi që në minutën e shtatë. Blendi Baftiu përfitoi nga një top i kthyer në zonën e rreptësisë dhe me një goditje të bukur realizoi për 0:1.

Reagimi i Dritës nuk vonoi. Në minutën e 19-të, Blerim Krasniqi arriti të barazojë rezultatin në 1:1, duke rikthyer ekuilibrin në këtë përballje. Pavarësisht rasteve të krijuara nga të dyja skuadrat deri në fund të pjesës së parë, rezultati nuk ndryshoi.
Pas pushimit, Prishtina u tregua më efikase dhe arriti të rikthejë epërsinë. Në minutën e 51-të, Ardian Hasani realizoi me kokë, pas një aksioni të mirë të mysafirëve, duke e dërguar topin në rrjetë për 1:2.
Deri në përfundim të takimit, të dyja skuadrat kërkuan golin, por mbrojtjet arritën t’i rezistojnë presionit dhe rezultati mbeti i pandryshuar.
Me këtë fitore, Prishtina ngjitet në vendin e parë të tabelës me 29 pikë, ndërsa Drita mbetet në pozitën e tretë me 23 pikë.
Në xhiron e ardhshme, Prishtina do të përballet me Vushtrrinë në udhëtim, kurse Drita do të luajë kundër Drenicës, po ashtu në udhëtim.
Burimi: RTKLive




