Policia e Kosovës ka arrestuar të hënën në Prizren një person ndaj të cilit ishte lëshuar urdhërarrest aktiv nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi ishte dënuar me pesë vjet burgim efektiv për vepra penale që lidhen me narkotikët.

Rasti ka ndodhur më 9 nëntor 2026, rreth orës 11:00, kur patrulla policore e Stacionit Policor në Prizren, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë, është njoftuar nga zyrtarët e inteligjencës se personi i kërkuar po lëvizte me një automjet në territorin e Prizrenit.
Pas pranimit të informacionit për identitetin dhe lokacionin e tij, policia ka ndërmarrë veprime dhe brenda një kohe të shkurtër ka lokalizuar dhe ndaluar automjetin e dyshuar.
Gjatë këtij operacioni janë kontrolluar tre personat që ndodheshin në veturë.
Pas identifikimit, është konstatuar se drejtuesi i automjetit ishte personi ndaj të cilit Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar urdhërarrest aktiv. Ai ishte dënuar me vendim të formës së prerë me pesë vjet burgim efektiv për vepra penale që lidhen me narkotikët.
Ndërkohë, gjatë kontrollit të personave të tjerë që ndodheshin në veturë, te njëri prej tyre është gjetur dhe sekuestruar një substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me peshë rreth shtatë gramë.
I dyshuari, së bashku me provat materiale, i është dorëzuar Njësisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren për procedura të mëtejshme.
Personi i tretë, pas verifikimeve të nevojshme nga policia, është liruar dhe rasti ndaj tij do të vazhdojë në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale në Prizren, ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e të gjithë personave ndaj të cilëve janë lëshuar urdhërarreste aktive.
Për këtë qëllim, sipas policisë, është formuar edhe një grup i veçantë operacional (Task Forcë), i cili është vazhdimisht i angazhuar në zbatimin e urdhërarresteve dhe sjelljen para drejtësisë të personave të kërkuar.
Burimi: Insajderi




