Gazeta Insajderi ka mësuar ekskluzivisht se në mesin e personave të arrestuar në operacionin antidrogë “Heshtja”, ku u prangos edhe ish-ministri Astrit Haraqija, është edhe Albana Xhemajli, motra e Arbiana Xhemajlit, e cila ishte kandidate për deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Ndërkaq, sipas dosjes së Prokurorisë që e ka siguruar Insajderi, Albana Xhemajli dyshohet se kishte rol në menaxhimin e parave të fituara nga shitja e kokainës.
Në dosjen e siguruar nga Gazeta Insajderi thuhet se ajo, duke qenë bashkëjetuese e të dyshuarit Jeton Stanovcit, i njohur me nofkën “Daja”, mblidhte paratë nga shitjet e realizuara nga të dyshuarit Gëzim Feka, Arianit Beqiri dhe Albert Krasniqi.
Sipas Prokurorisë, kryesisht çdo të diel bëhej barazimi i pagesave për sasitë e shitura dhe shpërndara, ndërsa grupi furnizohej me sasi të reja të narkotikëve për shpërndarjen gjatë javës pasuese.
Pra, sipas skemës së përshkruar nga Prokuroria, Albana dyshohet se shërbente si hallkë e menaxhimit financiar të grupit, duke mbledhur paratë nga shpërndarësit dhe duke i përcjellë ato te Jeton Stanovci.
Ajo është njëra nga gjashtë personat e arrestuar në operacionin “Heshtja”, të zhvilluar më 14 nëntor në rajonin e Prishtinës. Në këtë aksion u arrestua edhe ish-ministri Astrit Haraqija, i cili dyshohet për furnizimin e grupit me narkotikë.
Në këtë skemë, Mërgim Stanovci dhe ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija, figurojnë si furnizuesit kryesorë të lëndës narkotike. Ata dyshohet se siguronin kokainën që më pas shpërndahej përmes anëtarëve të tjerë të grupit.
Në qendër të organizimit, sipas dosjes së Prokurorisë, ishte Jeton Stanovci, i njohur me nofkën “Daja”. Ai dyshohet se koordinonte aktivitetin e grupit, pranonte sasitë e narkotikëve, kujdesej për ndarjen e tyre në sasi më të vogla dhe menaxhonte paratë e siguruara nga shitja. Mjetet financiare, sipas skemës, përfundonin tek ai.
Një rol tjetër në këtë organizim dyshohet se kishte Alban Maloku, i cili komunikonte drejtpërdrejt me “Dajën” dhe pjesën tjetër të rrjetit të shpërndarjes. Sipas hetimit, ai merrej me ruajtjen e sasive të narkotikëve dhe furnizimin e shpërndarësve.
Në nivelin e shpërndarjes ishin Gëzim Feka, Arianit Beqiri dhe Albert Krasniqi. Këta dyshohet se merrnin sasitë e kokainës për t’i shpërndarë më pas te blerësit. Gëzim Feka, sipas skemës policore, kishte komunikim dhe bashkëpunim të drejtpërdrejtë edhe me Beqirin dhe Krasniqin.
Zinxhiri i shpërndarjes përfundonte te blerësit dhe shpërndarësit e vegjël, përmes të cilëve kokaina arrinte te konsumatorët. /Insajderi.org/
Burimi: Insajderi





