Një basketbollist amerikan 28-vjeçar është arrestuar në aeroportin kryesor të Lagos në Nigeri, pasi në dy valixhet e tij janë gjetur afro 34 kilogramë kanabis.

Agjencia Kombëtare për Zbatimin e Ligjit kundër Drogave në Nigeri (NDLEA) e ka identifikuar të dyshuarin si Greene Da’monte Khiree, nga shteti amerikan i Xhorxhias.
Ai kishte udhëtuar drejt Nigerisë nga Tajlanda, përmes Emirateve të Bashkuara Arabe. Sipas autoriteteve, basketbollisti kishte deklaruar se kishte luajtur profesionalisht në Tajlandë dhe se kishte shkuar në Nigeri për të krijuar kontakte të reja në karrierën e tij.
Arrestimi ndodhi të mërkurën, pasi zyrtarët e aeroportit vunë re se ai kishte braktisur dy valixhet e regjistruara në emrin e tij dhe po tentonte të largohej vetëm me bagazhin e dorës.
Gjatë kontrollit të valixheve u zbuluan 32 pako me një lloj të fuqishëm kanabisi, të njohur si “Loud”. Në mesin e tyre u gjet edhe një pajisje gjurmuese.
NDLEA bëri të ditur se kontrollimi i telefonit të të dyshuarit kishte nxjerrë prova që, sipas agjencisë, tregonin se ai kishte dijeni dhe ishte i përfshirë në aktivitetin e dyshuar të trafikimit të drogës.
Ndërkohë, Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA) ka të regjistruar një lojtar me emrin Damonte Greene, paraqitja e fundit e të cilit figuron në turneun “Phuket Elite Cup” në Tajlandë, më 26 shtator.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





