Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se Kosova ka ulur nga 500 në 300 euro kufirin e pagesave me para të gatshme ndërmjet bizneseve, me qëllim të parandalimit të financimit të paligjshëm dhe rritjes së gjurmueshmërisë së transaksioneve financiare.
Murati këto deklarata i bëri në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Financave në kuadër të Procesit të Berlinit për financat e paligjshme, me temën “Beyond Compliance – Ndërtimi i ekonomive të qëndrueshme përmes integritetit financiar”.

Ai tha se përtej miratimit të ligjeve dhe përmbushjes së standardeve ndërkombëtare, rëndësi ka zbatimi i tyre në praktikë dhe efektiviteti i masave për parandalimin e aktiviteteve financiare të paligjshme.
“Një nga mënyrat më të thjeshta për të vepruar, një masë që mund të zbatohej relativisht lehtë, ishte trajtimi i çështjes së pagesave me para të gatshme. Këto pagesa zakonisht nuk mund të gjurmohen, ose gjurmimi i tyre është i vështirë, dhe ato mund të përdoren për financim të paligjshëm”, tha Murati.
Duke shpjeguar masat e ndërmarra, ministri bëri të ditur se për transaksionet ndërmjet bizneseve kufiri i pagesave me para të gatshme është ulur në 300 euro, ndërsa për transaksionet ndërmjet bizneseve dhe konsumatorëve kufiri është 2.000 euro.
Sipas tij, shumat mbi kufirin e përcaktuar duhet të realizohen përmes transaksioneve të gjurmueshme në institucione financiare të licencuara në Kosovë.
Murati foli edhe për zhvillimet në fushën e kriptovalutave, duke theksuar se Banka Qendrore e Kosovës ka ndërmarrë hapa për të vënë nën kontroll dhe për të licencuar operatorët e këmbimit që përdorin kriptovaluta.
Ai vlerësoi se këto masa mund të kontribuojnë në digjitalizimin e pagesave, rritjen e transparencës dhe forcimin e konkurrencës së ndershme, si dhe në kalimin e më shumë aktivitetit ekonomik në ekonominë formale.
Në fund, Murati theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër financimit të paligjshëm, duke argumentuar se paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme mund të kalojnë lehtësisht përtej kufijve shtetërorë.
“Përveç kësaj, së fundmi ka pasur zhvillime edhe në fushën e përgjegjësisë së Bankës Qendrore. Ajo ka ndërmarrë hapa për të vënë nën kontroll dhe për të licencuar edhe operatorët e këmbimit që përdorin kriptovaluta. Kjo, natyrisht, mund të ndihmojë që pagesat dhe transaksionet të bëhen digjitale, të gjurmueshme dhe më transparente. Në këtë mënyrë, mbështetet edhe konkurrenca e ndershme dhe ndihmohet kalimi i më shumë aktivitetit ekonomik në ekonominë formale, aty ku i takon. Megjithatë, asnjë masë e vetme, asnjë institucion dhe, aq më pak, asnjë shtet nuk mund ta bëjë këtë i vetëm. Paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme kalojnë shumë lehtë përtej kufijve, prandaj edhe bashkëpunimi ynë duhet të jetë po aq i lehtë dhe efikas”, tha Murati.
Burimi: Dukagjini




