Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK), ka parashikuar mot të ndryshueshëm gjatë javës, nga 16 deri më 20 nëntor.
Sipas parashikimit, java do të nisë me mot kryesisht të vranët dhe me riga shiu. Të martën pritet përmirësim i motit, me diell dhe vranësira të shpërndara, ndërsa të mërkurën do të ketë intervale me diell, por edhe mundësi për reshje shiu.

Të enjten parashikohet mot kryesisht i vranët, me riga të herëpashershme shiu, ndërsa të premten do të ketë vranësira dhe intervale me diell.
Temperaturat minimale gjatë kësaj periudhe do të lëvizin nga 3 deri në 10 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 8 deri në 20 gradë Celsius.
Era do të fryjë kryesisht nga drejtimet jugperëndimore, juglindore dhe veriperëndimore, me shpejtësi të ndryshme.
Sa u përket kushteve biometeorologjike, IHK-ja vlerëson se ato do të jenë kryesisht të ndryshueshme. Luhatjet e temperaturave dhe reshjet mund të ndikojnë te personat e ndjeshëm ndaj ndryshimeve të motit, veçanërisht te ata me sëmundje kronike.
Ndërkaq, kushtet agrometeorologjike pritet të jenë përgjithësisht të favorshme për mbirjen dhe zhvillimin fillestar të grurit të mbjellë në vjeshtë. Reshjet e shiut do të ndihmojnë në ruajtjen e lagështisë së tokës, ndërsa temperaturat pritet të jenë të përshtatshme për këtë periudhë.
Në përgjithësi, java e ardhshme do të karakterizohet me mot të butë vjeshtor, me alternime të vranësirave, reshjeve të shiut dhe intervaleve me diell.
Burimi: Dukagjini





