Milot Gashi ka siguruar një tjetër sukses për xhudon kosovare, duke fituar medaljen e bronztë në Kupën Evropiane për Kadetë, e cila po zhvillohet në Selanik të Greqisë.

Xhudisti kosovar u ngjit në podium pas një gare me disa fitore bindëse në kategorinë deri në 66 kilogramë, ku tregoi formë të mirë që nga paraqitja e parë.
Rrugëtimin drejt medaljes Gashi e nisi me triumf ndaj grekut Nikolaos Tosounidis, të cilin e mposhti me Ippon.
Të njëjtën mënyrë fitoreje e arriti edhe kundër italianit Francesco Robert Di Benedetto dhe izraelitit Ariel Yehuda Cohen, duke regjistruar tri fitore radhazi.
Megjithatë, në çerekfinale kosovari pësoi humbje nga moldavi Vladislav Moga dhe u detyrua të vazhdonte garën përmes repasazhit.
Aty Gashi nuk lejoi që humbja ta ndalte në rrugën drejt podiumit. Ai mposhti me Ippon garuesin vendas Anastasios Kiourtzidis, duke fituar të drejtën për të luftuar për medaljen e bronztë.
Në përballjen vendimtare, kosovari u përball me serbin Luka Dangubiq, ndaj të cilit triumfoi me Yuko për ta siguruar vendin e tretë dhe medaljen e bronztë në këtë garë evropiane./Telegrafi/





