Kryeministri britanik, Andy Burnham, do të vizitojë Berlinin sot, ndërsa ai dhe homologu i tij gjerman shpallin një partneritet të ri sigurie “t’iu kundërvënë sabotazheve dhe sulmeve kibernetike”.

Në takimin e parë ballë për ballë mes Burnham dhe kancelarit Friedrich Merz, të dy do të diskutojnë se si t’i mbrojnë vendet e tyre nga kërcënimet hibride, si dhe si të bashkëpunojnë në fushën e inovacionit dhe rritjes ekonomike rajonale, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Siç thuhet më tej, partneriteti i sigurisë do të mundësojë shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin e veprimeve midis dy vendeve për të monitoruar dhe neutralizuar kërcënimet, si dhe për të dobësuar aftësinë e aktorëve armiqësorë për të vepruar në Evropë dhe për të mbrojtur infrastrukturën kritike.
Kjo lëvizje pason nënshkrimin e marrëveshjeve të ngjashme nga Mbretëria e Bashkuar me BE-në dhe Turqinë, që kur Partia Laburiste mori pushtetin dy vite më parë.
Burnham dhe Merz do të diskutojnë gjithashtu për luftën në Ukrainë, situatën në Lindjen e Mesme dhe përpjekjet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Ata do të shpallin krijimin e një “korridori të teknologjisë industriale”, përmes të cilit kompanitë në të dyja vendet do të krijojnë partneritete dhe do të konkurrojnë për të përfituar nga një fond prej 20 milionë eurosh për të përshpejtuar kërkimet në fushën kuantike.
Kjo nismë mbështetet nga disa prej kompanive kryesore gjermane, përfshirë Allianz, Bosch dhe Siemens.
Duke folur para udhëtimit të tij, Burnham tha: “Sulmet ndaj infrastrukturës, bizneseve dhe demokracive tona nuk janë një kërcënim i largët. Ato prekin drejtpërdrejt shtëpitë dhe vendet e punës së njerëzve dhe janë krijuar për të na bërë më të dobët dhe më të përçarë”.
“Britania dhe Gjermania po bashkojnë forcat për të identifikuar, ekspozuar dhe ndalur këtë veprimtari. Siguria dhe rritja ecin paralelisht dhe të dyja duhet të ndihen në çdo qytet të dy vendeve tona”.
Kjo do të jetë vizita e tretë ndërkombëtare e Burnham-it si kryeministër, pas vizitave të tij në Ukrainë dhe në SHBA.
Vizita vjen në një periudhë tensioni të brendshëm për Merz-in, ndërsa ai përballet me thirrje për t’u larguar pas rezultateve katastrofike të partisë së tij në zgjedhjet lokale – dhe vetëm pak ditë pasi ish-shefi i shërbimit sekret gjerman, August Hanning, u arrestua nën dyshimin për spiunazh.
Në fillim të kësaj jave, kreu i shërbimit gjerman të inteligjencës së jashtme paralajmëroi se Rusia po zhvillonte një “luftë në hije” kundër vendeve evropiane.
Kremlini i ka hedhur poshtë këto akuza si të pabazuara dhe si një komplot për të justifikuar shpenzimet për mbrojtjen. /Telegrafi/




