Një aleancë e gjerë në Zvicër ka mbledhur mbi 131 mijë e 800 nënshkrime për një referendum kundër ndërtimit të centraleve të reja bërthamore.
Nënshkrimet iu dorëzuan të martën Kancelarisë Federale në Bernë. Aleanca “Jo centraleve të reja bërthamore” njoftoi se ato janë mbledhur brenda tre muajsh, duke bërë të mundur zhvillimin e referendumit, raporton Watson.
Aleanca paralajmëron për kosto që mund të arrijnë në miliarda franga, rreziqe të sigurisë dhe një varësi të ripërtërirë të Zvicrës nga importet e uraniumit.
Sipas kundërshtarëve të centraleve të reja bërthamore, ndërtimi i një centrali mund të kushtojë deri në 43 miliardë franga zvicerane. Ata shprehin shqetësimin se këto kosto mund t’i kalohen popullsisë përmes rritjes së taksave dhe çmimeve më të larta të energjisë elektrike.
Aleanca akuzon Këshillin Federal dhe Parlamentin se po ndjekin politika që, sipas saj, shpërfillin vullnetin e popullit. Ajo i referohet mbështetjes së shprehur nga elektorati për një të ardhme të bazuar në energjitë e rinovueshme, përmes Strategjisë së Energjisë në vitin 2017, Aktit të Mbrojtjes së Klimës në vitin 2023 dhe Aktit të Energjisë Elektrike në vitin 2024, transmeton Telegrafi.
Paralajmërime për varësinë nga uraniumi
Sipas aleancës, ndërtimi i centraleve të reja bërthamore do të rriste varësinë e Zvicrës nga importet e uraniumit. Rusia përmendet ndër vendet që mund të jenë burim i karburantit.
Kundërshtarët përmendin gjithashtu rreziqet e sigurisë, duke iu referuar aksidenteve në Çernobil dhe Fukushima. Sipas tyre, në Zvicrën me popullsi të dendur, një aksident i tillë do të kishte pasoja katastrofike për popullsinë dhe mjedisin.
Një tjetër çështje e ngritur është ruajtja e mbetjeve radioaktive, të cilat do të duhej të ruheshin në mënyrë të sigurt për më shumë se një milion vjet. Aleanca thekson se në mbarë botën nuk ka një zgjidhje të provuar për këtë problem.
Një depo e thellë gjeologjike e planifikuar në Zvicër, sipas aleancës, nuk do të kishte hapësirë për mbetje shtesë bërthamore nga një central i ri.
Presidentja e Partisë së Gjelbër, Lisa Mazzone, e ka cilësuar një rikthim te termocentralet bërthamore si “sabotim të tranzicionit energjetik”. Ndërsa nënkryetarja e Partisë Socialdemokrate, Jacqueline Badran, i ka përshkruar termocentralet bërthamore si “teknologji me rrezik të lartë” që do të linte një “trashëgimi toksike për breza”.
Referendumi mbështetet nga Partia Socialdemokrate (SP), Partia e Gjelbër, Partia Liberale e Gjelbër (GLP), pjesë të Partisë së Qendrës, si dhe organizata të shumta, përfshirë Fondacionin Zviceran të Energjisë dhe Greenpeace Zvicër.
Nëse referendumi realizohet zyrtarisht, votuesit zviceranë pritet të mund të votojnë për amendamentin e propozuar jo më herët se 28 shkurti 2027./Telegrafi/




