Luzati, arti modern dhe pamjet e Malit të Buzë Bredhit

Luzati, arti modern dhe pamjet e Malit të Buzë Bredhit

Luzati, arti modern dhe pamjet e Malit të Buzë Bredhit

Pjesa historike e fshatit me shtëpi të vjetra por shumë piktoreske vendosur në këmbën e maleve mbi 1500 metër, me pyje e përrenj, tashmë ka vetëm pesë shtëpi të banuara vetëm me të moshuar, pasi pjesa tjetër është zhvendosur në emigrim ose drejt qyteteve të afërt e Tiranës.

Shtëpitë janë të mëdha, me oborre me pjergulla, pemë frutore, ndërsa pulat dhe kafshët e tjera shtëpiake enden të lira nëpër rrugët e fshatit.

Sponsor 3M Express

Banorët e mbetur janë shumë mikpritës. Një grua hap dyert sapo i kërkojmë nëse mund të mbushim ujë përpara se të nisemi për në Majën e Buzë Bredhit në malësinë sipër fshatit. Ajo jeton aty me bashkëshortin ndërsa fëmijët ndodhen në emigracion.

“Ke shtëpi të bukur”, i them. “Kemi punuar tërë jetën për këtë shtëpi”, ma kthen me theksin lab të zonës që nuk tingëllon aspak i ashpër tek kjo grua.

Edhe pse fshat modest në dukje, Luzati ka shumë për të ofruar. Shumë pranë rrugës kombëtare, fshati përbën pikënisje për disa aktivitete në natyrë por edhe atraksione kulturore për t’u vizituar.

Shtëpia-muze e familjes Kalo është njëra prej tyre, e rindërtuar për të ruajtur dhe ekspozuar historinë, kulturën dhe trashëgiminë patriotike të zonës. Brenda “Vatrës” vizitorët mund të shohin objekte të jetës së përditshme të hershme labe, dokumente historike dhe dëshmi të kontributit të fshatit në ngjarjet e mëdha kombëtare.

Po ashtu, shkolla e vjetër e fshatit tashmë është shndërruar në qendrën rajonale LuzatArt. Çdo vit, zakonisht në mesin e muajit gusht, fshati pret artistë nga Shqipëria, Ballkani Perëndimor dhe bota të cilët vijnë dhe jetojnë në fshat për disa ditë.

Artistët krijojnë instalacione, mozaikë, skulptura në gur e dru, si dhe piktura murale direkt në mjediset e jashtme të fshatit. Për shembull, një nga veprat e njohura është muralja “Hëna” nga artisti italian Giorgio Rizzo. Këto punime qëndrojnë përgjithmonë aty, duke krijuar një muze të vërtetë arti bashkëkohor në natyrë, ku skulpturat dhe instalacionet ndodhen të shpërndara mes kodrave, pemëve dhe mureve të gurta të Luzatit.

Ndërkaq, banorët e mbetur mbajnë gjallë shtëpitë dhe traditat duke pritur e përcjellë të ikurit, ata që kthehen gjithmonë për të parë njerëzit e tyre por edhe për të ndihmuar në mirëmbajtjen e banesave, tokave dhe bagëtisë.

Për vizitorët në një ditë nëntori, fshati duket fare i qetë. Në nisje të shtegut drejt maleve ku synimi është maja e Buzë Bredhit apo siç njihet nga vendasit Mali i Buzë Derrit, gurorja shpalos pamje fantazmagorike gërmimesh, gropash e tunelesh por aty nuk punohet më.

Për ata që duan pak lodhje, itinerari mund të jetë te Ujëvara e Luzatit (e njohur nga vendasit edhe si Ujëvara e Lyerit ose Tre Ujëvarat) që qëndron e fshehur brenda një mase të dendur bimësie.

Janë tre ujëvara të njëpasnjëshme që ndodhen vetëm pak metra larg njëra-tjetrës. Uji buron i ftohtë akull nga shpatet e Malit të Buzë Derrit. Ndryshe nga disa ujëvara të tjera të Jugut që thahen plotësisht gjatë verës, Luzati karakterizohet nga burime të shumta ujore që bëjnë që uji të gurgullojë pothuajse gjatë gjithë vitit.

Ama, pjesa më lart është thjesht e mahnitshme, me një shteg malor që kalon mes pyllit ku pemë të të gjitha llojeve mbushin shpatet ku spikat e verdha dhe e kuqja e fortë e shkurreve.

Pyjet sipër Luzatit dallohen për bimësi të dendur. Bredhi i Bardhë është krenaria e këtij mali sa që një nga pikat më të famshme natyrore sipër fshatit quhet pikërisht “Buza e Bredhit”, e cila gëzon edhe statusin Monument Natyre.

Shkoza e kuqe është “shkaktarja” kryesore për të kuqen e flaktë nëpër shkëmbinjtë e Tepelenës. Gjethet e saj rrumbullake kthehen në të kuqe flakë e portokalli të thellë, duke krijuar një kontrast të jashtëzakonshëm me gjelbërimin e përhershëm të bredhave te “Buza e Bredhit”.

Po ashtu, masivi pyjor ka edhe panjë të egër, gjethet e së cilës në formë ylli kthehen në nuanca spektakolare nga e verdha e ndezur deri te e kuqja e pastër.

Brenda fshatit dhe rreth tij syri të zë drurë shekullorë disa ende madhështorë më degët drejt qiellit e disa të tjerë të djegur nga rrufetë apo të ngrënë nga koha.

Ndërsa vijon ngjitjen, zhurmave të pyllit e malit i shtohen lehjet e qenve të disa staneve. Ndërtesat me mbulesa llamarine, lera me ujë që shuan etjen e bagëtive gjatë verës tregojnë se blegtoria është aktiviteti më i rëndësishëm për jetesën e banorëve. Gjatë rrugës ndesh kryesisht tufa me dhi. Bulmeti i zonës është i famshëm dhe i kërkuar në të gjithë vendin.

Shtegu kalon në disa kurrize malore dhe rruga zgjatet deri sipër pyllit ku nisin kullotat alpine. Sapo kap Buzën e Bredhit, peizazhi ndryshon tërësisht.

Maja e Buzë Derrit sipas legjendave lokale e ka marrë këtë emër nga një derr gjigand që i ndjekur nga gjahtarët, i lodhur dhe i inatosur, u përplas me malin dhe u kthye në shkëmb. Kur e vështron nga afër, legjenda duket se merr vërtetësi pasi çarjet e mëdha, shkëmbinjtë e prerë si me thikë, dhe lëndinat gropa-gropa krijojnë vërtet përshtypjen e një përplasjeve madhore që mund të ketë ndodhur këtu. Sigurisht jo nga ndonjë derr gjigand por shkëputje arkitektonike të së kaluarës kanë krijuar të gjitha format e relievit në një vend të vetëm.

Ndoshta emri vjen edhe nga derrat e shumtë që popullojnë pyjet, gjurmët e tyre ishin të dukshme përgjatë gjthë shtegut që nga gërmimi i tokës për nxjerrjen e rrënjëve të ushqyeshme.

E ndoshta emri vjen edhe nga ngjashmëria e majës me një noçkë që qëndron sipër honeve të thella të luginës.

Maja na pret me erë të ftohtë dhe me pika shiu që nuk të lejojnë të qëndrosh për një kohë të gjatë, por aq sa për të memorizuar pamjen e mrekullueshme të luginës së Vjosës që duket e gjitha që nga gryka e Mezhgoranit, përgjatë shtratit të butë në Tepelenë duke u zhdukur në largësi drejt perëndimit.

Në anën jugore, maja përfundon me një greminë të frikshme dhe mbresëlënëse – një mur shkëmbor vertikal prej 700 metrash që bie thikë mbi fundin e luginës së Luzatit. Nga ana tjetër, ndesh gropa të mëdha karstike.

Përtej luginës së Vjosës, ngrihet vargmali i Shëndëllisë, Lunxhërisë dhe Buretos, me maja që ngrihen njëra pas tjetrës në mënyrë paralele.

Në veri, Maja e Këndërvicës dallon madhështore në lartësinë 2121m, maja më e lartë e Malësisë së Kurveleshit. Pamja arrin deri tek kurrizorja e Çikës. Më në jug shihet lugina drejt zonës së Gjirokastrës, e rrethuar nga kodra dhe fshatra të vegjël të izoluar.

Ngjitja në Majën e Buzë Bredhit duhet pranuar se është sfiduese por shpërblen gjithkënd që ka durimin për ta ngjitur me një nga pamjet më të egra dhe më të bukura të Labërisë.

Burimi: RTKLive

Lexo edhe

Shqipëria triumfon ndaj Bjellorusisë, rikthehet në Ligën B

Shqipëria triumfon ndaj Bjellorusisë, rikthehet në Ligën B

Shqipëria fiton ndaj Bjellorusisë dhe siguron vendin e parë në grup

Shqipëria fiton ndaj Bjellorusisë dhe siguron vendin e parë në grup

Bloomberg: SHBA ndryshon planet për Evropën, nuk do të tërheqë 25 mijë ushtarë

Bloomberg: SHBA ndryshon planet për Evropën, nuk do të tërheqë 25 mijë ushtarë