Liderët e partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë uruar zgjedhjen e presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka Pula, shkruan Telegrafi Maqedoni.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti për zgjedhjen e presidentes së Kosovës thotë se Kosova dëshmoi pjekuri politike dhe përgjegjësi shtetërore.
“Me një vëmendje të veçantë, sonte përcolla pjekurinë politike dhe përgjegjësinë e lartë shtetërore të autoriteteve politike të Kosovës, të cilat arritën të gjejnë zgjidhje për krizën politike, duke shmangur zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare dhe duke zgjedhur në krye të shtetit Justina Shiroka-Pula, Kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Stabiliteti institucional, përqendrimi te zgjidhjet që i ofrojnë të ardhme më të mirë qytetarëve dhe vendosja e interesit shtetëror e qytetar mbi atë partiak duhet të jenë gjithmonë udhërrëfyes për autoritetet politike të Republikës së Kosovës, shtetit më të ri të Evropës, të krijuar mbi sakrificën dhe gjakun e bijve më të mirë të kombit. Mos të harrojmë se lirinë e kemi fituar me gjak, çlirimin me aleatë”, thotë Ahmeti.
Njëri nga kryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami thotë se me zgjedhjen e presidentes së re Kosova po hapëron në rrugë të mbarë drejt stabilitetit institucional.
“E përshëndes zgjedhjen e Justina Shiroka Pula si Presidente e Republikës së Kosovës. I uroj mandat të mbarë dhe të suksesshëm. Presim të bashkëpunojmë ngusht, si dy shtete vëllazërore, në të mirën e qytetarëve tanë.I përgëzoj të gjithë aktorët politikë në Kosovë për konsensusin e arritur rreth Ligjit për Dhomat e Specializuara. Më vjen mirë që Kosova po hapëron në rrugë të mbarë drejt stabilitetit institucional, dhe për këtë e përgëzoj dhe falënderoj Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, për udhëheqjen bashkuese dhe prej burrështetasi”, thotë Kasami.
Kryetari i ASH-së, Arben Taravari thotë se Kosova po shkon drejt stabilitetit politik të vendit.
“Urime Kosovës që sot zgjohet me Presidente duke hedhur kështu një hap shumë të rëndësishëm drejt stabilitetit! Urime akademikes Justina Shiroka Pula, që prej sot jam i lumtur ta quaj Zonja Presidente”, thotë Taravari.
Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela thotë se Kosova ka fituar me zgjedhjen e presidentes.
“Fillim i mbarë i vendosjes së klasës politike përpara përgjegjësisë që kanë për Kosovën shtet. Me vendimin e sotëm shpëtoi dhe fitoi Kosova! Shpëtoi nga kriza institucionale me pasoja të rrezikshme, nga polarizimi i shoqërisë, nga trazirat dhe skenaret që askush se din ku do të ishte fundi. Fitoi Kosova stabilitet, fituan edhe krerët e UÇK-së që përveç ligjit tani do të kenë edhe institucionet dhe vëmendjen e plotë për të fituar betejën ligjore e diplomatike”, shkruan Sela./Telegrafi/




