Një tjetër dëshmi tronditëse është dëgjuar sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin Special, në procesin gjyqësor ndaj Nadica Çepkenoviqit, e akuzuar për krime lufte.

Gazeta Sinjali ka përcjellë nga afër seancën gjyqësore, ku një tjetër e dëmtuar, në cilësinë e dëshmitares, ka rrëfyer përjetimet e saj të rënda gjatë kohës sa mbahej në burgun e Prishtinës, paralelja në Lipjan.
Dëshmitarja ka deklaruar se gjatë qëndrimit në burg ishte rrahur dhe maltretuar nga gardianet gra të burgut, duke pretenduar se në keqtrajtimin e saj kishte marrë pjesë edhe e akuzuara Nadica Çepkenoviq.
Sipas dëshmisë së saj, ajo ishte dërguar në burg për shkak se u kishte larë rrobat pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si dhe u kishte përgatitur ushqim, përkatësisht torta.
Gjatë rrëfimit të përjetimeve të saj, dëshmitarja nuk është ndier mirë, ndërsa disa herë ka kërkuar pauza, duke e pasur të vështirë të vazhdonte dëshminë para trupit gjykues.
Rrëfimi i saj është përqendruar në dhunën fizike dhe psikologjike që pretendon se e kishte përjetuar gjatë kohës së burgimit.
Seanca gjyqësore është mbajtur në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Leon Perlaska, me anëtarë gjyqtarët Lutfi Shala dhe Rrahman Beqiri.
Procesi gjyqësor ndaj Nadica Çepkenoviqit po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarëve dhe të dëmtuarve, të cilët po rrëfejnë përjetimet e tyre gjatë luftës në Kosovë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
The post LEX | “Më rrihnin e më maltretonin” – Dëshmi tronditëse në gjykimin e Nadica Çepkenoviqit, e dëmtuara nuk ndihet mirë gjatë rrëfimit në gjykatë appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




