Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për një muaj Gëzim Berishës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”.

Sipas njoftimit të Gjykatës, gjyqtarja e procedurës paraprake ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Berishës.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata ka vlerësuar se masa e arrestit shtëpiak është e mjaftueshme për të parandaluar rrezikun e përsëritjes së veprës penale, për të mbrojtur të dëmtuarën dhe për të siguruar zhvillimin e rregullt të procedurës penale.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se i pandehuri dhe e dëmtuara nuk jetojnë më në bashkësi familjare, ndërsa masa është caktuar në pronën ku ajo nuk banon, me qëllim të shmangies së kontaktit të drejtpërdrejtë mes tyre.
Gjykata ka obliguar Stacionin Policor në Vushtrri që të zbatojë dhe verifikojë respektimin e kësaj mase, ndërsa në rast të moszbatimit nga i pandehuri, ta njoftojë menjëherë gjyqtaren e procedurës paraprake.
Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




