Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka paralajmëruar edhe sot se Qeveria mund ta rikthejë çmimin tavan për derivatet e naftës nëse operatorët ekonomikë nuk reflektojnë në tregun e Kosovës rënien e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Në një prononcim për Ekonomia Online, Kusari-Lila ka thënë se institucionet po i përcjellin në baza ditore çmimet në bursat ndërkombëtare, çmimin e importit në kufi dhe atë në tregun e brendshëm.

Ajo ka bërë të ditur se, sipas vlerësimit të fundit të bërë të premten në mëngjes, çmimi i naftës është 1.87 euro për litër.
Sipas saj, ky çmim është në nivelin që tashmë po e aplikojnë shumica e pikave të shitjes së derivateve.
“Analizat dhe vlerësimet në raport me çmimin e naftës në bursë, atë të importuar në kufi dhe në tregun e Kosovës i bëjmë në baza ditore. Çdo ditë ne marrim informacione të azhurnuara mbi raportet e çmimeve dhe aktualisht, sot, ka rënie të çmimit të naftës në 1.87 euro. Kjo do të thotë se sikur ta kishim vendosur çmimin tavan me kalkulimin që e kemi bërë sipas udhëzimit administrativ, do të ishte i njëjti çmim”, ka thënë ajo.
Ministrja ka theksuar se për momentin nuk ka nevojë për rikthimin e çmimit tavan, përderisa çmimet në tregun e brendshëm janë në përputhje me rënien e çmimit të importit.
“Përderisa ka rënie të çmimit dhe çdo ditë shihet se kjo është në përputhje me çmimin ose me nivelin e importuar, pra me rënien e çmimit, atëherë nuk e vendosim. Por, nëse shohim se ka dallime midis çmimit në tregun e brendshëm dhe çmimit të importuar dhe atij në bursë, atëherë e kthejmë çmimin tavan”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Ajo ka paralajmëruar se institucionet do të ndërhyjnë nëse çmimi në tregun e Kosovës vazhdon të mbetet i lartë, pavarësisht rënies së çmimit të importit.
“Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët se jemi duke e përcjellë dhe nuk do të lejojmë që të ketë abuzime apo dallime të mëdha në raport me çmimin e importuar dhe çmimin në tregun e brendshëm”, ka thënë ministrja.
Kusari-Lila ka shtuar se monitorimi do të vazhdojë edhe gjatë fundjavës dhe në ditët në vijim, duke shprehur shpresën që rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare të reflektohet drejtpërdrejt te konsumatorët në Kosovë.
Një ditë më parë, gjatë raportimit në Kuvendin e Kosovës, ministrja kishte paralajmëruar se çmimi tavan mund të rikthehej nëse rënia e çmimeve të derivateve në tregun botëror nuk reflektohej në tregun e brendshëm brenda pak ditësh.
Paralajmërimi i ministres vjen në kohën kur çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare ka shënuar rënie të ndjeshme.
Nafta Brent ka rënë për më shumë se 13 për qind gjatë javës, duke zbritur në rreth 98 dollarë për fuçi. Kjo është rënia më e madhe javore që nga marsi i vitit 2020, kur shpërtheu pandemia COVID-19.
Burimi: Dukagjini




