Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim shefen e re të Misionit të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) në Kosovë, znj. Marian Benbow Pfisterer. Në emër të organizatës, ajo i përcolli Kryeministrit urimet për formimin e Qeverisë së re dhe për zgjedhjen e Presidentes.
Kryeministri Kurti dhe znj. Benbow Pfisterer vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehën gatishmërinë për ta thelluar atë. Për Kosovën, migrimi vazhdon të jetë motor për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për lidhjet e qëndrueshme me mërgatën.

Partneriteti me IOM-in ka rëndësi të veçantë për t’i lidhur përpjekjet e Kosovës me ato të vendeve të origjinës, tranzitit dhe destinacionit. Përmes këtij bashkëpunimi, Kosova synon të kontribuojë në një qasje të përbashkët rajonale që mbron të drejtat e migrantëve dhe u hap rrugë njerëzve që njohuritë, përvojën dhe lidhjet e fituara përtej kufijve t’i vënë në shërbim të zhvillimit të vendit.
Një tjetër prioritet i përbashkët është ai i barazisë gjinore, sidomos përmes integrimit të grave në tregun e punës. Kryeministri Kurti e informoi znj. Benbow Pfisterer për lansimin e planifikuar në të ardhmen të programit Super Puna për Gratë, që do të japë mbështetje financiare për punësimin e grave në sektorin privat në Kosovë.
Me një agjendë të plotë bashkëpunimi për të ardhmen, Kryeministri e përgëzoi znj. Benbow Pfisterer për marrjen e detyrës dhe e falënderoi IOM-in për partneritetin e deritanishëm me Qeverinë e Kosovës.
Burimi: RTKLive




