Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se përmes investimeve në ushtri, shtimit të kapaciteteve dhe pajisjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës, synohet anëtarësimi sa më i shpejtë i Kosovës në NATO, jo vetëm për përfitime, por edhe për kontribut.
Këto deklarata Kurti i ka bërë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë, për nder të Ditës së Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, me këtë rast, kryeministri ka shprehur kënaqësinë e dyfishtë për praninë në Tiranë, për Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit Kombëtar dhe Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.
Kurti ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës është shprehje e një përpjekjeje të gjatë të popullit të Kosovës, me shumë mundime e vuajtje të shqiptarëve për të pasur ushtrinë, e cila do të mbrojë integritetin territorial e sovranitetin shtetëror, por edhe progresin.
“Duke investuar në ushtrinë e Kosovës, duke shtuar kapacitetet dhe pajisjet për FSK-në, ne dëshirojmë që sa më parë të anëtarësohemi në NATO. Aleanca Veriatlantike në shekullin XXI do të jetë jo më pak e rëndësishme sesa në shekullin XX, dhe ne duam që anëtarësimi i Kosovës në NATO të mos jetë vetëm për përfitime, por gjithashtu edhe për kontribut”, ka thënë Kurti, sipas njoftimit të Qeverisë.
Ai ka falënderuar Republikën e Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Turqinë dhe të gjitha vendet e tjera mike dhe aleate, në të cilat ushtarët e FSK-së kanë kryer trajnime apo me të cilat Republika e Kosovës ka bashkëpunim ushtarak sa i përket blerjes së armatimeve dhe municionit, si dhe pjesëmarrjes në misione të përbashkëta.
“Ne nuk i harrojmë asnjëherë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Me këtë rast, jemi mirënjohës përgjithmonë për dëshmorët e kombit, për invalidët dhe veteranët e luftës, për ata të cilët nuk kursyen as jetën që ne të jetojmë të lirë dhe ta shpallim Kosovën të pavarur, dhe të cilët na e kujtojnë përherë se nga vijmë, në mënyrë që asnjëherë të mos harrojmë se kah po shkojmë”, ka thënë ai.
Kryeministri, ndër të tjera, ka theksuar se “Republika e Shqipërisë me oficerët dhe ushtarët e saj, me logjistikën dhe armatimet, na ka ndihmuar që të çlirohemi, na ka mësuar se si të avancojmë”, ndërsa ka shtuar se marrëdhëniet vëllazërore duhet të shprehen në çdo fushë, e posaçërisht në ato të mbrojtjes dhe të sigurisë.
“Urime e gëzuar Dita e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe gëzuar 28 Nëntori”, ka përfunduar fjalën e tij kryeministri Kurti, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Burimi: RTKLive





