Mungesa e banesave dhe rritja e kostove të qirasë në Zvicër po kërkojnë zgjidhje të reja.

Një studim i realizuar nga Universiteti Teknik i Vjenës, me porosi të Zyrës Federale Zvicerane për Zhvillimin Hapësinor (ARE), ka analizuar përvojat e pesë rajoneve evropiane: Lille, Salzburg, Hannover, München dhe Gent, për të identifikuar masa që mund të ndihmojnë në përballimin e krizës së banesave.
Sipas studimit, një nga zgjidhjet është dhënia e subvencioneve për komunat që sigurojnë më shumë banesa, duke u mundësuar atyre të investojnë edhe në infrastrukturën e nevojshme për popullsinë në rritje, shkruan SRF.
Një tjetër propozim është koordinimi më i madh i politikave të strehimit mes komunave dhe rajoneve, në vend që secila komunë të veprojë e vetme, transmeton Telegrafi.
Eksperti i pasurive të paluajtshme Vincent Clapasson sugjeron gjithashtu shqyrtimin e kufizimeve për dhënien e banesave me qira afatshkurtër përmes platformave si Airbnb, veçanërisht në qendrat e qyteteve si Cyrihu dhe Gjeneva, ku turizmi ushtron presion mbi tregun e banesave.
Studimi rekomandon edhe përfshirjen më të madhe të banorëve në projektet e reja të ndërtimit, si dhe krijimin e projekteve më sociale dhe ekologjike, me qëllim shmangien e kundërshtimeve që shpesh vonojnë ndërtimin e banesave.
Sipas ekspertëve, Zvicra mund të përfitojë nga më shumë bashkëpunim rajonal dhe koordinim në politikat e ndërtimit, pasi asnjëra nga qytetet evropiane të analizuara nuk ka gjetur një zgjidhje të vetme për krizën e strehimit./Telegrafi/




