Samiti i tetë Digjital i Ballkanit Perëndimor përfundoi dje në Herceg Novi, Mal të Zi, pas dy ditësh diskutimesh që mblodhën së bashku përfaqësues të Gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor, institucioneve të Bashkimit Evropian (BE), organizatave ndërkombëtare dhe drejtues të industrisë digjitale, me qëllim avancimin e transformimit digjital rajonal dhe integrimit në Tregun e Vetëm Digjital të BE-së.

Samiti u organizua nga Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi, nën kujdesin e Qeverisë së Malit të Zi, në partneritet me Këshillin për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Bashkimin Evropian dhe partnerë të tjerë rajonalë e ndërkombëtarë, në kuadër të Kryesimit të Malit të Zi të Procesit të Berlinit për vitin 2026.
Në Samit u mirëprit Udhërrëfyesi për Inteligjencën Artificiale për Gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, i hartuar nga RCC-ja së bashku me partnerët rajonalë, i cili përcakton një drejtim të përbashkët për zhvillimin dhe përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale.
Udhërrëfyesi, i cili pritet të miratohet në Samitin e ardhshëm të Liderëve të Procesit të Berlinit, ofron një kornizë për forcimin e gatishmërisë së rajonit për inteligjencën artificiale, qeverisjen, inovacionin dhe përafrimin me standardet evropiane.
Inteligjenca artificiale ishte ndër temat qendrore të Samitit, me një panel të posaçëm të titulluar “Inteligjenca artificiale: Mundësitë, sfidat dhe perspektivat e së ardhmes”, të moderuar nga Tanja Maraš, Eksperte e Lartë për Ndërlidhjen Digjitale në RCC. Duke mbledhur së bashku përfaqësues të Komisionit Evropian, organizatave ndërkombëtare, botës akademike dhe sektorit të teknologjisë, diskutimi shqyrtoi se si rajoni mund të kalojë nga ambiciet në fushën e inteligjencës artificiale drejt zbatimeve praktike, inovacionit më të fuqishëm dhe rritjes së konkurrueshmërisë ekonomike.
“Sfida nuk është thjesht të përvetësojmë inteligjencën artificiale, por të sigurojmë që ajo të sjellë vlerë të vërtetë për ekonomitë tona, institucionet publike, bizneset dhe qytetarët, duke ndërtuar njëkohësisht besimin dhe duke siguruar që asnjë pjesë e rajonit të mos mbetet prapa”, thaMaraš, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, investimeve në aftësi dhe infrastrukturë, si dhe zhvillimit të përgjegjshëm të inteligjencës artificiale.
Samiti përfundoi me një disa prioritete për përshpejtimin e integrimit digjital rajonal, duke përfshirë njohjen e ndërsjellë të identiteteve digjitale, zbatimin e Portofolave të Identitetit Digjital, shërbimet roaming më të përballueshme me BE-në, forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë kibernetike dhe përmirësimin e ndërlidhjes digjitale.




