Protestat e studentëve, arrest në shtëpi për 5 të ndaluar, Rama akuzon opozitën

Protestat e studentëve, arrest në shtëpi për 5 të ndaluar, Rama akuzon opozitën

Protestat e studentëve, arrest në shtëpi për 5 të ndaluar, Rama akuzon opozitën

Gjykata e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë për tetë protestues të ndaluar pas përplasjeve me Policinë gjatë protestës para Ministrisë së Arsimit. Mes tyre është edhe K. M., 22 vjeç, fotografia e të cilit u bë virale në rrjetet sociale, pasi u përlesh me gjashtë punonjës policie gjatë tubimit.

Për të riun është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”. E njëjta masë është caktuar edhe për katër protestues të tjerë, me inicialet Xh. P., E. Z., K. A. dhe K. H. Ndërkohë, për tre protestues të tjerë gjykata ka vendosur masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”, raportoi A2.

Sponsor 3M Express

Protestat e studentëve janë shoqëruar me tensione dhe përplasje me Policinë, si dhe me dëmtime të pronës publike dhe private. Të rinjtë kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në rrugë për të protestuar, ndërsa tubimet janë zhvilluar në disa qytete të vendit.

Rama: Protestat nuk kanë lidhje me studentët, pas tyre qëndron dikush tjetër

Kryeministri Edi Rama ka ripërsëritur akuzat ndaj opozitës, duke pretenduar se pas protestave nuk qëndrojnë shqetësimet e studentëve, por interesa të tjera politike. Në një video të publikuar në Facebook, Rama ka komentuar edhe dëmtimin dhe djegien e një kioske gjatë protestave, duke vënë në pikëpyetje lidhjen e akteve të dhunës me kërkesat e të rinjve.

“Si mund të jenë studentët? Si mund të jetë investimi i prindërve tek fëmijët e tyre kjo gërmadhë? Kjo nuk ka lidhje fare me studentët. E gjithë kjo flamë nuk është flamë studentore. E gjithë kjo pengmarrje e qytetit me maska nuk ka të bëjë fare me hallet, me problemet, me aspiratat legjitime të gjithkujt që do një jetë më të mirë”, deklaroi Rama.

Kryeministri ka vijuar akuzat ndaj opozitës, duke pretenduar se ajo po përdor protestat për të nxitur përçarje dhe për të penguar zhvillimin e vendit.

“E gjitha kjo është po ajo dorë, po ajo dorë që ka kapur për fyti opozitën shqiptare dhe që e ka djegur dhe shkatërruar jo një herë Shqipërinë dhe që është gati ta djegë e shkatërrojë përsëri për të mos e lënë të bëjë përpara në një luftë qorre ku urrejtja, urrejtja më e verbër dhe ku flakët e ndasisë janë e vetmja dritë arsyeje”, u shpreh kreu i qeverisë.

Rama u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë durim dhe qëndresë përballë protestave të shoqëruara me akte dhune. Megjithatë, ai ka pranuar se qytetarët përballen me probleme që kërkojnë zgjidhje, duke deklaruar se ato do të adresohen.

Rama: E gjithë kjo që po ndodh nuk është rastësi

Kryeministri e ka lidhur zhvillimin e protestave edhe me procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Sipas tij, koha kur kanë nisur tubimet nuk është e rastësishme, ndërsa ka pretenduar se pas tyre qëndrojnë edhe aktorë të tjerë që, sipas tij, nuk e duan Shqipërinë të ecë përpara drejt Bashkimit Europian.

“Si mund të nxiten të miturit, të vënë maska, të shkulin trotuaret që shtrohen dhe mirëmbahen përditë me taksat tuaja dhe të qëllojnë policinë. Si mund të rrezikohet jeta e të miturve duke i hedhur në rrugë si një lukuni e verbër për agjendën tjetërkujt?”, deklaroi Rama.

Më tej, kryeministri ka përdorur tone të ashpra ndaj atyre që i konsideron përgjegjës për nxitjen e protestave, duke pretenduar se bëhet fjalë për një përpjekje për të penguar përparimin e Shqipërisë.

“Dora e mbrapshtë, dora e vjetër, dora e keqe që e ka ndjekur Shqipërinë si mallkim në fakt që nga viti 1912 dhe që e dimë shumë mirë se e kujt është prej 30 e kusur vitesh, sot mbështetet dhe nga duart të tjera, duar të huaja, duar të huaja që nuk e duan Shqipërinë të qetë, nuk e duan Shqipërinë të shohë drejtë, të ecë përpara dhe të merret çdo ditë me problemet e saj për t’u përmirësuar, që nuk e duan Shqipërinë pjesë të familjes së bashkuar europiane, që nuk e duan Shqipërinë aty ku ajo do të shpëtojë njëherë e përgjithmonë nga këto duar dhe nga zgjedha e zgjedhjes së detyruar”, u shpreh ai.

Gjatë ditëve të para të protestave janë raportuar përplasje mes protestuesve dhe Policisë, hedhje gurësh dhe dëmtime të pronës publike e private. Në disa raste, Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e turmave dhe për të vënë situatën nën kontroll.

Ndërkohë, caktimi i masave të sigurisë për tetë protestuesit shënon vijimin e procedurave gjyqësore lidhur me ngjarjet e regjistruara gjatë tubimeve.

Vendosja e masave të sigurisë nuk përbën vendim përfundimtar mbi fajësinë e personave nën hetim.

Burimi: RTKLive

Lexo edhe

Përshkallëzohet protesta në Lezhë, gurët e hedhur drejt Policisë lëndojnë në fytyrë një nxënëse

Përshkallëzohet protesta në Lezhë, gurët e hedhur drejt Policisë lëndojnë në fytyrë një nxënëse

Komisioni refuzon raportimin e drejtorit të Policisë për protestën e 5 tetorit

Komisioni refuzon raportimin e drejtorit të Policisë për protestën e 5 tetorit

Manchester City rrezikon deri në 10 vjet përjashtim nga garat evropiane

Manchester City rrezikon deri në 10 vjet përjashtim nga garat evropiane