Kina konfirmon diskutimet për një takim historik Xi-Trump-Putin

Kina konfirmon diskutimet për një takim historik Xi-Trump-Putin

Kina konfirmon diskutimet për një takim historik Xi-Trump-Putin

Pekini ka konfirmuar për herë të parë se po zhvillon diskutime për një takim historik mes liderit kinez, Xi Jinping, presidentit amerikan, Donald Trump, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, transmeton agjencia “AP”.

Sponsor 3M Express

Zëdhënësja e Ministrisë të Jashtme të Kinës, Mao Ning, gjatë një konference për media në Pekin këtë javë tha se Kina “është në komunikim me palët përkatëse lidhur me një takim mes tre krerëve të shteteve”.

Ende nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar, por takimi i tre liderëve mund të mbahet këtë muaj, në margjinat e një samiti rajonal në qytetin Shenzhen, në jug të Kinës.

Nëse realizohet, takimi do të ishte historik. Megjithatë, ekspertët thonë se tre liderët nuk kanë gjasa të diskutojnë çështje konkrete, pasi interesat e tyre janë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Sipas tyre, takimi do të shërbente kryesisht për një fotografi të përbashkët, ndërsa Kina do ta organizonte atë me shumë kujdes.

“Besoj se takimi do të mbahet. Çështja është formati dhe përmbajtja e tij”, tha Sun Yun, drejtoreshë e programit për Kinën në Qendrën Stimson. “Kina dëshiron imazhin, por jo kostot”.

Pekini është nikoqir i samitit të këtij viti të liderëve të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), një organizatë me 21 anëtarë, ku bëjnë pjesë SHBA-ja dhe Rusia.

Trumpi pritet të udhëtojë drejt Shenzhenit për t’u takuar me Xi-në për herë të tretë këtë vit, me synimin për ta ruajtur “armëpushimin” e brishtë tregtar, i cili pritet të skadojë në janar.

Si shenjë se tensionet vazhdojnë, përfaqësuesi amerikan për Tregtinë, Jamieson Greer, gjatë një bisede nëpërmjet videolidhjes të premten me zëvendëskryeministrin kinez, He Lifeng, i kërkoi Pekinit të ndërmarrë “veprime konkrete për t’i zbatuar plotësisht zotimet e mëparshme, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me blerjet e produkteve bujqësore, tokat e rralla dhe mineralet e tjera kritike”, u tha në një deklaratë të zyrës së Greerit.

Agjencia zyrtare kineze e lajmeve Xinhua raportoi të shtunën se të dyja palët zhvilluan një shkëmbim të thelluar dhe konstruktiv gjatë bisedës, ndërsa Kina shprehu shqetësimin për masat kufizuese ekonomike dhe tregtare të Washingtonit ndaj Pekinit.

Gjatë qëndrimit në Kinë, Trumpi ka thënë se do të ishte i interesuar të takohej me Xi-në dhe Putinin për ta diskutuar kontrollin e armëve bërthamore. Megjithatë, Putini është i përqendruar në diskutimin e luftës në Ukrainë pa praninë e Kievit në tryezën e bisedimeve.

“Putini ka më së shumti për të përfituar nga një takim trepalësh mes liderëve dhe rusët janë qartazi ata që po shtyjnë përpara idenë e këtij takimi, i cili do të ishte një sukses i madh diplomatik për Moskën”, tha Danny Russel, ish-zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, i cili shërbeu gjatë administratës së ish-presidentit Barack Obama.

Trumpit, që njihet për “pëlqimin e tij për liderët autoritarë të fortë”, do t’i pëlqente një takim i tillë, megjithëse këshilltarët e tij me sa duket e kanë paralajmëruar që të shmangë Ukrainën si temë diskutimi, tha Russel, i cili aktualisht është bashkëpunëtor në Institutin e Politikave të Shoqatës së Azisë.

Sun nga Qendra Stimson tha se Rusia ka të ngjarë ta shfrytëzojë samitin për ta afruar Kinën dhe SHBA-në me qëndrimet e Moskës për Ukrainën, ndërsa “Kina do të duhet t’i menaxhojë përpjekjet manipuluese të Rusisë”.

Ajo tha se Kina gjithashtu nuk do të përfshihej në bisedime për kontrollin e armëve apo diskutime për Ukrainën dhe Iranin, përveçse do të përsëriste qëndrimin e saj diplomatik se paqja është e rëndësishme dhe se luftërat duhet të përfundojnë.

Sipas saj, sfida më e madhe për Pekinin mund të jetë perceptimi që do të krijohet nga ky takim.

“Samiti nuk duhet të barazohet me ndarjen e botës mes tri fuqive të mëdha”, tha ajo.

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

Mbi 500 gramë kokainë dhe marihuanë sekuestrohen në Prishtinë, ndalohen tre persona

Mbi 500 gramë kokainë dhe marihuanë sekuestrohen në Prishtinë, ndalohen tre persona

Gruaja denoncon burrin për dhunë psikologjike në Drenas, ai përfundon në ndalim – lëshohet edhe urdhër mbrojtjeje

Gruaja denoncon burrin për dhunë psikologjike në Drenas, ai përfundon në ndalim – lëshohet edhe urdhër mbrojtjeje

Konjufca solidarizohet me Poloninë pas rastit në Krakov

Konjufca solidarizohet me Poloninë pas rastit në Krakov