Bora ka shënuar fitore ndaj Vëllaznimit të Gjakovës me rezultat 79:72, në një ndeshje dramatike të zhvilluar në palestrën “Shani Nushi”, në kuadër të xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në basketboll.

Ndeshja ishte e baraspeshuar deri në minutat e fundit të çerekut të katërt, kur rezultati ishte 67:67, me 2 minuta e 35 sekonda deri në përfundim.
Në vazhdim, Bora arriti të krijojë epërsi përmes Amin Hotit dhe Laolu Oke, duke shkuar në 75:69, me 57 sekonda të mbetura.
Andi Ahmeti shënoi një treshe për Vëllaznimin dhe ngushtoi rezultatin në 75:72, por Rron Ukaj u kundërpërgjigj menjëherë për Borën, duke rikthyer epërsinë në pesë pikë.
Në sekondat e fundit, Amin Hoti realizoi edhe dy gjuajtje të lira për rezultatin përfundimtar 79:72.
Hoti ishte ndër më të dalluarit te Bora me 11 pikë, gjashtë kërcime dhe nëntë asistime, ndërsa te Vëllaznimi u veçua Kentrell Pullian me 24 pikë, katër kërcime dhe gjashtë asistime.
Kjo ishte fitorja e tretë radhazi për Borën, ndërsa Vëllaznimi regjistroi humbjen e pestë radhazi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




