Katër raste të dhunës fizike dhe psikike janë raportuar më 6 tetor në Prishtinë, Pejë dhe Gjakovë.
Sipas raportit policor, në Prishtinë, rreth orës 00:40, një grua kosovare ka raportuar se ishte sulmuar fizikisht nga një burrë kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Në Pejë, rreth orës 21:00, policia ka arrestuar dy burra kosovarë, të dyshuar se kanë kryer veprën e lartcekur. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar dhe rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në Gjakovë janë raportuar dy raste. Në rastin e parë, rreth orës 16:40, një grua kosovare është sulmuar fizikisht nga një burrë kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari ndodhet në kërkim policor, transmeton Klankosova.tv.
Në rastin tjetër, rreth orës 19:00, një grua kosovare ka raportuar se ishte keqtrajtuar psikologjikisht nga një burrë kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.




