Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Wichita, në shtetin amerikan të Kansasit, ku një kamion është futur në një fushë ku po zhvillohej një ndeshje futbolli për të rinj, duke lënë të vdekur një fëmijë gjashtëvjeçar dhe një burrë 35-vjeçar.
Sipas policisë, nga incidenti janë plagosur edhe 10 persona të tjerë, të cilët janë dërguar në spital me lëndime traumatike. Gjendja e tyre varion nga e lehtë deri në të rëndë, por asnjëri prej tyre nuk duket të jetë në rrezik për jetën, deklaroi kapiteni i policisë së Wichita-s, Aaron Moses.

Dy viktimat u shpallën të vdekura në vendin e ngjarjes.
Policia bëri të ditur se kamioni drejtohej nga një grua 34-vjeçare, e cila po bashkëpunon me hetuesit. Ajo ndodhet në paraburgim, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur rrethanat dhe shkakun e incidentit.
Sipas policisë, mes të plagosurve janë gjashtë të mitur të moshave pesë, tetë dhe nëntë vjeç, si dhe pesë të rritur. Një person tjetër është shtruar në spital për probleme shëndetësore që nuk lidhen drejtpërdrejt me lëndime fizike.
Shoferja kishte një fëmijë që po luante futboll në kompleksin sportiv Stryker, por jo në fushën ku ndodhi ngjarja. Në kamion ndodheshin gjithashtu dy të mitur si pasagjerë.
Telefonatat e para për incidentin mbërritën në shërbimet emergjente rreth orës 15:25 sipas kohës lokale, të shtunën.
Kryetari i policisë së Wichita-s, Joe Sullivan, tha se autoritetet e dinë se çfarë ndodhi, por ende po përpiqen të kuptojnë arsyen që çoi në këtë tragjedi.
Kryetarja e qytetit, Lily Wu, e cilësoi ditën si zemërthyese për Wichita-n, duke thënë se familjet kishin shkuar në kompleksin sportiv për të kaluar një pasdite të zakonshme duke ndjekur ndeshjet e fëmijëve të tyre, pa e imagjinuar se do të ndodhte një tragjedi e tillë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë duke vazhduar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Kamioni përplas një ndeshje futbolli për të rinj në SHBA, vdesin një fëmijë 6-vjeçar dhe një burrë appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




