Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) pritet të dalin sërish në rrugë të enjten e javës së ardhshme, më 19 nëntor, në kryeqytet, si shenjë pakënaqësie ndaj pagave dhe kushteve aktuale të punës.

Përmes një njoftimi, Sindikata e Re e KEK-ut u ka bërë thirrje të gjithë punëtorëve që të bashkohen në këtë protestë, duke theksuar se kërkesat e tyre lidhen drejtpërdrejt me dinjitetin, vlerësimin e punës së rëndë dhe sigurinë në vendin e punës.
“Të nderuar punëtorë, vazhdojmë të bashkuar për fëmijët tanë, për familjet tona, për prindërit tanë, për dinjitetin tonë dhe për një të ardhme me paga meritore, që të jemi krenarë për punën që bajmë në KEK”, thuhet në thirrjen e sindikatës.
Më tej, në reagimin e tyre potencohet se punëtorët po përballen çdo ditë me rrezik të lartë dhe lodhje të madhe, teksa shpërblimi financiar nuk përkon me mundin e tyre.
“JO të varfëruar, JO të nëpërkëmbur, JO të pavlerësuar, JO pa dinjitet dhe JO të lodhur duke humbur shëndetin, duke u varfëruar nga pagat e ulëta, puna e rëndë dhe rreziku i lartë me të cilin përballemi çdo ditë. TË VENDOSUR, VAZHDOJMË TË BASHKUAR!”, përfundon njoftimi i Sindikatës së Re të KEK-ut.
Protesta e paralajmëruar do të mbahet në Prishtinë, ndërsa pritet që në ditët në vijim të bëhen të ditura edhe detajet e sakta rreth orarit dhe vendit të grumbullimit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





