Çështja e energjisë është bërë temë diskutimi edhe një herë, për të satin vit radhazi. Si në vitet paraprake, edhe këtë vit, qeveria e vendit ka paralajmëruar sërish ‘’dimër të vështirë’’.

Si rrjedhojë e kësaj, partitë opozitare e njohës të fushës kanë hedhur kritika drejt ekzekutivit për menaxhimin e këtij sektori.
Kritika kanë ardhur edhe nga ish-politikan të vendit. Një nga ta është ish-ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku.
Ky i fundit, në një intervistë dhënë për REL, ka paralajmëruar se ndërprerjet e rrymës gjatë dimrit do t’i godasin veçanërisht bizneset prodhuese, që detyrohen të përdorin gjeneratorë dhe të përballen me kosto shtesë. I njëjti, e ka cilësuar si të ‘’papranueshme’’ mosbisemet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama, për këtë çështje.
‘’Është shumë e papranueshme, e pakuptueshme se si kryeministri ynë [Albin Kurti] nuk ulet me bisedu me kryeministrin e Shqipërisë [Edi Rama] dhe ta përzgjedh bashkëpunimin afatgjatë me KESH-in”, tha ai duke iu referuar bashkëpunimit me Korporatën Energjetike të Shqipërisë’’, ka thënë ai.
Çeku, është shfaqur kritikë edhe lidhur me vendimin e qeverisë, e cila pak ditë më parë, ka miratuar ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe.
Për këtë vendim, Çeku, ka theksuar se ‘’energjia është treg i hapur’’, dhe se e njëjta ‘’nuk duron korniza politike’’.
“Unë nuk e shoh diçka që është bërë ndonjë hap i mençur. Energjia nuk duron mekanizma apo korniza politike, është treg i hapur. Neve na nevojitet që të blejmë energji me kosto sa më të lirë për qytetarin dhe për bizneset tona”, ka thënë ai.
Ndryshe, qeveria e udhëhequr nga Kurti, ka qenë cak i kritikave të shpeshta dhe të shumta lidhur me situatën e rrymës. Të njëjtat janë bërë si pasojë e rritjes së disahershme të çmimit të energjisë, gjë e cila, sipas kritikëve, ka ndikuar edhe në shtrenjtimin e çmimeve të produkteve të tjera, kësisoj, të ndikojë edhe në shtrenjtimin e kostos së jetesës.
Burimi: Insajderi





