Prishtina anulon tenderin 10-milionësh për urën në Veternik, dyshimet se projekti nisi pa mjete të siguruara

Prishtina anulon tenderin 10-milionësh për urën në Veternik, dyshimet se projekti nisi pa mjete të siguruara

Prishtina anulon tenderin 10-milionësh për urën në Veternik, dyshimet se projekti nisi pa mjete të siguruara

Komuna e Prishtinës ka anuluar në tërësi tenderin 10-milionësh për ndërtimin e urës, mbikalimit dhe nënkalimit në Veternik, vetëm një ditë pasi kishte përgatitur dokumentacionin e korrigjuar pas vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Anulimi vjen pas një vargu parregullsish të identifikuara në këtë aktivitet të prokurimit, për të cilat ishte raportuar vazhdimisht. Por zhvillimi i fundit flet për një çështje edhe më serioze, sipas informacioneve që ka siguruar Kujdestari.info, Komuna dyshohet se e kishte nisur procedurën e prokurimit pa i pasur të siguruara mjetet financiare të nevojshme për realizimin e projektit.

Sponsor 3M Express

Një projekt i paralajmëruar si investim madhor në infrastrukturën rrugore të kryeqytetit, me vlerë të parashikuar prej 10 milionë eurosh, ka përfunduar pa asnjë kontratë dhe me një vendim për anulimin e tërësishëm të aktivitetit të prokurimit.

Komuna e Prishtinës, e cila për muaj të tërë kishte zhvilluar procedurën, kishte mbrojtur kriteret e vendosura dhe ishte përballur me ankesë në OSHP, më 18 nëntor 2026 vendosi ta ndërpresë të gjithë aktivitetin.

Vendimi është marrë vetëm pesë ditë pasi OSHP-ja kishte konstatuar shkelje të Ligjit për Prokurimin Publik dhe kishte urdhëruar korrigjimin e dokumentacionit.

Edhe më e pazakontë është se anulimi erdhi menjëherë pasi Komuna kishte ndërhyrë në dosjen e tenderit për t’i larguar disa prej kërkesave që ekspertiza i kishte konsideruar kufizuese për konkurrencën.

Pra, pasi u detyrua t’i ndryshonte kushtet e tenderimit, Komuna vendosi të mos vazhdonte fare me procedurën.

Në njoftimin zyrtar për anulim, autoriteti kontraktues nuk ka dhënë ndonjë shpjegim konkret për rrethanat që e kanë detyruar ta marrë këtë vendim.

Në vend të kësaj, është mjaftuar me referimin në një dispozitë ligjore që lejon ndërprerjen e aktivitetit për shkak të ngjarjeve objektive, të demonstrueshme dhe të paparashikueshme, jashtë kontrollit të autoritetit kontraktues.

Sipas informacioneve që ka siguruar Kujdestari.info, prapa anulimit të aktivitetit të prokurimit qëndron çështja e mungesës së mjeteve financiare për realizimin e projektit.

Burimet e Kujdestari.info bëjnë të ditur se mjetet që priteshin nga niveli qendror për bashkëfinancimin e projektit nuk i ishin alokuar ende Komunës së Prishtinës.

Tenderi ishte publikuar më 11 gusht 2026, me titullin “Ndërtimi i urës (Mbikalimi dhe Nënkalimi për vetura dhe automjete) në Veternik mbi rrugën ‘A’ – Bashkëfinancim me MMPHI-në”.

Që në titull, projekti paraqitej si investim i përbashkët ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Dokumentacioni i tenderit përmbante edhe ndarje të planifikuara buxhetore ndërmjet dy institucioneve deri në vitin 2029.

Mirëpo, planifikimi i mjeteve në dokumentacion nuk është domosdoshmërisht i barasvlershëm me sigurimin e tyre.

Po ashtu, mosalokimi i mjeteve në llogarinë komunale nuk dëshmon vetvetiu se projekti nuk kishte mbulim të vlefshëm buxhetor. Për këtë duhet të verifikohen zotimet, marrëveshjet financiare dhe dokumentet përkatëse.

Pikërisht këtu qëndron çështja që kërkon sqarim institucional.

Fillimisht shkelje ligjore, pastaj korrigjime dhe në fund anulim

Historia e këtij tenderi e bën vendimin për anulim edhe më të rëndësishëm.

Komuna e Prishtinës e kishte publikuar tenderin më 11 gusht 2026, duke parashikuar një investim prej 10 milionë eurosh.

Por procedura u kontestua nga nje kompani, e cila kundërshtoi një varg kriteresh teknike dhe profesionale.

Komuna fillimisht i kishte refuzuar pretendimet e operatorit ekonomik në fazën e rishqyrtimit.

Megjithatë, çështja përfundoi në OSHP, ku ekspertiza identifikoi disa kërkesa të panevojshme, joproporcionale ose potencialisht kufizuese për konkurrencën.

Më 13 nëntor 2026, Paneli Shqyrtues i OSHP-së aprovoi pjesërisht ankesën dhe mbështeti rekomandimet e ekspertit.

Në vendimin e tij, Paneli konstatoi se Komuna e Prishtinës nuk i kishte respektuar dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik gjatë zhvillimit të aktivitetit.

OSHP-ja anuloi njoftimin për kontratë dhe urdhëroi korrigjimin e dosjes, si dhe zgjatjen e afatit për ofertim.

Kjo ishte një ndërhyrje institucionale ndaj mënyrës se si Komuna e kishte organizuar tenderin.

Pas vendimit, Komuna përgatiti dokumentacionin e korrigjuar, duke larguar disa nga kërkesat e kundërshtuara.

Por vetëm një ditë më pas, më 18 nëntor, vendosi ta anulojë tërësisht aktivitetin.

Ekskavatorë 53-tonësh, GPS, kamera dhe makineri pa lidhje me projektin

Një prej aspekteve më shqetësuese të këtij aktiviteti mbetet mënyra se si ishin hartuar kriteret fillestare.

Kujdestari.info kishte raportuar për kërkesa teknike të pazakonta, të cilat më pas u trajtuan edhe nga ekspertiza e OSHP-së.

Në dosjen fillestare, Komuna kishte kërkuar dy ekskavatorë me zinxhir, secili me peshë minimale prej 53 tonësh dhe kapacitet të kovës mbi 2 metra kub.

Eksperti teknik konstatoi se pesha minimale prej 53 tonësh nuk ishte e domosdoshme për realizimin e punimeve dhe se ekskavatorët prej 35 tonësh do të siguronin kapacitet të mjaftueshëm.

Komuna kishte kërkuar gjithashtu ekskavator me GPS të integruar.

Sipas ekspertizës, GPS-i nuk ishte domosdoshmëri për kryerjen e punimeve të gërmimit, ndërsa një kërkesë e tillë mund të kufizonte konkurrencën dhe ta orientonte procedurën drejt një operatori ekonomik të caktuar.

Kjo gjetje është veçanërisht e rëndësishme.

Nuk bëhej fjalë thjesht për një gabim në përshkrimin e pajisjeve, por për një kusht që, sipas vlerësimit profesional, mund të ndikonte në mundësinë e kompanive për të marrë pjesë në tender.

Edhe për buldozerët, Komuna kishte vendosur kërkesa për GPS dhe kamera të integruara, pa e arsyetuar domosdoshmërinë e tyre për punimet konkrete.

Ekspertiza rekomandoi largimin e këtyre specifikimeve.

Por një prej kërkesave më të pazakonta ishte ajo për një makineri shpimi gjeotermale, me sistem laserik kontrolli dhe peshë prej 15 deri në 18 tonësh.

Eksperti konstatoi se kjo pajisje nuk lidhej me fushëveprimin e kontratës dhe rekomandoi largimin e saj nga lista e pajisjeve të detyrueshme.

Edhe një frezë hidraulike për gërryerjen e gurit u konsiderua e panevojshme, pasi nuk ishte identifikuar ndonjë punë konkrete që kërkonte përdorimin e saj.

Probleme u identifikuan edhe te kërkesat për kamionë, pajisje të nivelizimit të betonit dhe disa profile të personelit.

Pas vendimit të OSHP-së, Komuna i ndryshoi një pjesë të këtyre kushteve.

Pesha minimale e ekskavatorëve u ul nga 53 në 35 tonë, u larguan kërkesat për GPS dhe kamera, ndërsa makineria gjeotermale dhe freza hidraulike u hoqën nga lista e pajisjeve të detyrueshme.

Këto korrigjime dëshmojnë se një pjesë e kushteve fillestare nuk mbetën të qëndrueshme pas shqyrtimit institucional.

Megjithatë, në vend që procedura të vazhdonte me kriteret e korrigjuara, Komuna e ndërpreu atë në tërësi.

Nga një milion në 10 milionë euro: Edhe afati i ofertimit ishte kontestuar

Problemet me këtë tender nuk filluan me kriteret për makineritë.

Kujdestari.info kishte raportuar më herët se Komuna e Prishtinës kishte përdorur një njoftim paraprak të publikuar më 18 mars 2026 për ta arsyetuar shkurtimin e afatit për dorëzimin e ofertave.

Mirëpo, njoftimi paraprak i referohej projektit për depërtimin e Rrugës A, me vlerë të parashikuar prej një milion eurosh.

Tenderi i publikuar në gusht kishte objekt më specifik, ndërtimin e urës, mbikalimit dhe nënkalimit në Veternik, ndërsa vlera e parashikuar ishte 10 milionë euro.

Kjo diferencë ngriti dilema për përputhshmërinë ndërmjet njoftimit paraprak dhe aktivitetit të mëvonshëm të prokurimit.

Pas vendimit të OSHP-së, Komuna e ndryshoi afatin për ofertim, duke e caktuar datën 26 nëntor 2026.

Megjithatë, në dokumentacionin e korrigjuar vazhdoi të figurojë arsyetimi i mëhershëm për shkurtimin e afatit, i mbështetur në njoftimin paraprak të marsit.

Kështu, edhe pas ndërhyrjes së OSHP-së, çështja e bazës së përdorur për shkurtimin fillestar të afatit nuk ishte sqaruar plotësisht.

Tani, me anulimin e aktivitetit, procedura përfundon pa u zhvilluar konkurrimi përfundimtar.

A ishte anulimi pasojë e mungesës së fondeve apo e dështimit të procedurës së kontestuar?

Kronologjia e zhvillimeve ngre edhe dyshime për arsyet reale të anulimit.

Fillimisht, Komuna shpalli një tender me kërkesa teknike që më vonë u konsideruan pjesërisht kufizuese dhe joproporcionale.

Pastaj, i refuzoi pretendimet e kompanisë ankuese.

Më pas, OSHP-ja konstatoi shkelje ligjore dhe e detyroi ta korrigjonte dokumentacionin.

Komuna i ndryshoi kriteret, duke larguar disa prej kërkesave që kishin qenë objekt i ankesës.

Dhe menjëherë pas këtyre korrigjimeve, anuloi të gjithë aktivitetin.

Kjo rrjedhë nuk dëshmon vetvetiu se anulimi ka qenë i motivuar nga vendimi i OSHP-së apo nga pamundësia për të favorizuar ndonjë operator ekonomik.

Por krijon arsye të forta për të kërkuar transparencë mbi momentin kur është marrë vendimi për ndërprerjen e projektit dhe dokumentet mbi të cilat është mbështetur ai.

Nëse shkaku ka qenë mungesa e fondeve, atëherë duhet të përcaktohet se kur Komuna është njoftuar për këtë problem.

Nëse financimi nuk ka qenë i siguruar që në fillim, lind pyetja pse është zhvilluar një procedurë e tillë.

Nëse financimi ka qenë i siguruar dhe më pas është tërhequr apo ndryshuar, duhet të bëhet publike shkresa ose vendimi që e dëshmon këtë.

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

Kurti: Banimi i përballueshëm dhe social drejt përfundimit në Pejë, punimet po vazhdojnë në katër komuna

Kurti: Banimi i përballueshëm dhe social drejt përfundimit në Pejë, punimet po vazhdojnë në katër komuna

Kurti publikon pamje nga ndërtimet e banimit të përballueshëm

Kurti publikon pamje nga ndërtimet e banimit të përballueshëm

Kate Middleton tregon se si kanceri ia ndryshoi jetën

Kate Middleton tregon se si kanceri ia ndryshoi jetën