Ish-kryeministri i Italisë dhe presidenti i Institutit Jacques Delors, Enrico Letta, ka vizituar Kosovën, pasi, ishte i ftuar në Forumin e Shoqërisë Civile 2026.
Nga Prishtina, ai ka bërë thirrje që Kosova dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor të përfshihen gradualisht në Tregun e Përbashkët Evropian edhe para anëtarësimit formal në Bashkimin Evropian, duke theksuar se integrimi duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe jo të mbetet vetëm në nivel premtimesh politike.

“Tregu i Përbashkët është më shumë se një treg, është qytetari e plotë evropiane, pra, jo të jesh emigrant në Bashkimin tënd Evropian. Kjo është arsyeja pse unë e kam mbështetur Tregun e Përbashkët si një hap kryesor në zgjerimin e BE-së”, theksoi ai.
Në këtë forum, Letta tha se se përfshirja graduale e vendeve kandidate në tregun evropian do t’u mundësonte qytetarëve dhe bizneseve të përfitonin nga integrimi edhe para anëtarësimit formal në BE.
Po ashtu, sipas tij, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të përqendrohen vetëm në marrëdhëniet me Brukselin, por duhet të forcojnë edhe bashkëpunimin ekonomik mes tyre. Ai paralajmëroi se përsëritja e gabimeve të zgjerimeve të mëparshme mund ta vështirësojë integrimin.
Ndër tjera, Letta kërkoi integrim më të thellë dhe më shumë autonomi ekonomike e strategjike, duke prezantuar edhe rëndësinë e planit “Një Evropë, një treg”, i cili synon thjeshtimin e rregullave, integrimin e tregjeve financiare dhe forcimin e kompanive evropiane.
“Ne jemi të gjithë vende të vogla”, ishte një nga mesazhet kryesore të Lettës, i cili argumentoi se shtetet evropiane duhet të bashkohen për të pasur peshë më të madhe ekonomike dhe politike në raport me SHBA-në, Kinën dhe fuqitë e tjera globale.
Përpos ish-kryeministrit italian, pjesë e forumit ishte edhe ekonomistja dhe Valbona Zeneli.
Në hapje të ditës së dytë të forumit, Zeneli theksoi se diskutimet e një dite më parë kishin nxjerrë në pah një problem të përbashkët për rajonin: hendekun mes angazhimeve politike dhe zbatimit të tyre në praktikë.
Sipas saj, pengesa kryesore në Ballkanin Perëndimor nuk është më vetëm mungesa e politikave apo e legjislacionit, por mungesa e kapaciteteve institucionale, mbikëqyrjes, koordinimit dhe llogaridhënies, shkruan Telegrafi.
Ekonomistja theksoi se ligjet dhe zotimet e nënshkruara nuk po shndërrohen gjithmonë në institucione funksionale dhe rezultate konkrete për qytetarët.
Zeneli identifikoi tri çështje kryesore, si, qëndrueshmërinë demokratike si pjesë të sigurisë, përfshirjen e të gjitha komuniteteve në proceset politike dhe ndërtimin e një kulture të përgjegjësisë institucionale.
Ndër tjera, ajo kërkoi gjithashtu që vendet e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në mekanizmat evropianë për mbrojtjen e demokracisë edhe para anëtarësimit në BE.
Në këtë forum, u fliten edhe tema tjera, si mungesa e investimeve dhe ideja që Evropa të shihet si një projekt paqeje, e jo vetëm si objekt ekonomik, pasi, qytetarët e Ballkanit Perëndimor të krenohen me arritjet e BE-së.
Pra, mesazhi kryesor i forumit ishte se perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor duhet të shoqërohet me hapa konkretë, institucione funksionale dhe rezultate të prekshme për qytetarët, në mënyrë që zgjerimi të mos mbetet vetëm një premtim politik./EO
Burimi: Dukagjini




