Ish-kreu i shërbimit sekret gjerman, August Hanning, është arrestuar nën dyshimin për spiunazh, tradhti dhe marrje të informacioneve të klasifikuara për një fuqi të huaj, njofton Prokuroria Federale Gjermane.
Hanning drejtoi Shërbimin Federal të Inteligjencës (BND) nga viti 1998 deri në vitin 2005 dhe që atëherë ka punuar si konsulent privat.
Prokurorët pretendojnë se ai përdori informacione të klasifikuara të inteligjencës për të “hartuar një analizë” për një shërbim të huaj inteligjence dhe mbajti kontakte me një shërbim tjetër të huaj spiunazhi. Hetuesit nuk kanë bërë të ditur se cilat fuqi të huaja ishin të përfshira, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Policia arrestoi gjithashtu ish-punonjësin e BND-së, Manfred D, duke e akuzuar atë se i kishte kaluar Hanningut rreth 2,000 dokumente të klasifikuara në këmbim të parave.
Manfred D, i cili ishte shefi i zyrës së Hanningut dhe qëndroi në BND deri këtë vit, akuzohet për ndihmë dhe bashkëpunim në tentativë për tradhti dhe në spiunazh tradhtie.
Mediat lokale raportuan se Hanning u arrestua në shtëpinë e tij në Nordwalde, pranë Münsterit, ndërsa Manfred D u arrestua në Bavari. Hanning pritet të dalë para gjykatës të mërkurën, ndërsa Manfred D do të dalë të martën.
Prokurorët thonë se Manfred D, i cili shërbeu gjithashtu si shef i stafit për pasardhësit e Hanningut midis viteve 2012 dhe 2026, e përdori rolin e tij për të fituar qasje në informacione tepër konfidenciale, të cilat më pas ia kaloi Hanningut “në këmbim të pagesës”.
“Gjetjet aktuale sugjerojnë se, ndër vite, Manfred D i siguroi Hanningut afërsisht 2,000 dokumente, shumë prej të cilave përmbanin informacione të klasifikuara që duheshin përdorur ekskluzivisht nga Shërbimi Federal i Inteligjencës për qëllime të brendshme,” thuhet në deklaratë.




