Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë përmes të cilit ishte anuluar raundi i dytë në zgjedhjet për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) nga Gjykata Supreme, duke urdhëruar certifikimin e rezultatit të parë për Mejreme Memajn dhe Rrustem Thaqin.
Vendimi është marrë më 21 shtator 2026 nga kolegji i gjyqtarëve më këtë përbërje: Hajriz Hoti- kryetar kolegjit dhe anëtarët Arsim Hamzaj dhe Mehmet Ndrecaj.

Rasti lidhet me procesin zgjedhor të mbajtur më 23 janar 2026, kur 34 nga 35 gjyqtarë të Gjykatës Supreme morën pjesë në votim për dy pozita në Këshill. Në raundin e parë, nga 34 fletëvotime, 33 ishin të vlefshme dhe një i pavlefshëm. Mejreme Memaj dhe Rrustem Thaqi kishin marrë nga 17 vota secili, ndërsa Bashkim Hyseni dhe Franciska Zhitia-Ymeri nga 16 vota.
Komisioni zgjedhor kishte konstatuar se asnjë kandidat nuk kishte arritur shumicën e nevojshme dhe kishte vazhduar me raundin e dytë të votimit. Në atë raund, Rrustem Thaqi dhe Franciska Zhitia-Ymeri kishin marrë nga 19 vota secili, ndërsa Mejreme Memaj dhe Bashkim Hyseni nga 15 vota, pas së cilës KGJK i kishte certifikuar Thaqin dhe Zhitia-Ymerin si anëtarë të rinj.
Gjykata Themelore në Prishtinë kishte vendosur në favor të gjyqtares Mejreme Memaj në konfliktin administrativ kundër Këshillit Gjyqësor.
Ndaj këtij vendimi, kishte paraqitur ankesë Këshilli Gjyqësor i Kosovës, duke kërkuar që të anulohet vendimi dhe të refuzohet kërkesëpadia.
Gjithashtu, ankesë kishte paraqitur edhe pala me interes- gjykatësja Franciska Zhitia-Ymeri përmes avokatit Engjëll Rexhepi, duke kërkuar që vendimi të anulohet dhe të refuzohet kërkesëpadia.
Përgjigje në ankesë ka paraqitur avokati i Memajt, Besnik Berisha duke i propozuar Apelit që të refuzojë në tërësi dy ankesat dhe të vërtetojë vendimin e shkallës së parë.
Gjetjet e Gjykatës së Apelit:
Fillimisht, Gjykata e Apelit në vendim ka përshkruar vendimin e shkallës së parë te pjesa e arsyetimit, e ku më pas ka theksuar se një qëndrim i tillë juridik i Themelores është i rregullt, i bazuar në ligj dhe në tërësi e pranon kolegji i Apelit.
Më tej, në vendim thuhet se vendimi nuk është i përfshirë në shkelje esenciale për faktin se fillimisht është dërguar padia për përgjigje në KGJK dhe tek pala me interes, e pastaj është caktuar seanca, dhe janë nxjerrë prova të mjaftueshme.
Sipas Apelit, vendimi është i qartë dhe i kuptueshëm, se përmban arsyet e mjaftueshme për faktet vendimtare dhe se është i hartuar në harmoni me nenin 160 të Ligjit për Procedurën Kontestimore.
Gjithashtu, Apeli nuk i gjen të bazuara pretendimet për shkelje thelbësore, për faktin se rasti është gjykuar, sipas tyre, brenda kufijve të kërkesëpadisë dhe se nuk ka tejkalim.
Tutje, thuhet se nga petitumi i kërkesëpadisë përveç që është kërkuar anulimi i vendimeve të KGJK-së që kanë konstatuar Zhitia-Ymerin fituese të garës, sipas vendimit, është kërkuar po ashtu që të konstatohet se raundi parë ishte i vlefshëm ku fitues ishin gjyqtarët, Rrustem Thaqi dhe Mejreme Memaj.
Më tej, në vendim thuhet se objekti i kërkesëpadisë nuk ka pësuar ndryshim, pasi që fakti që gjykata e shkallës së parë, në vend të një zëvendësimi të drejtpërdrejtë të aktit administrativ, ka përcaktuar mënyrën e realizimit të pasojave juridike përmes veprimit të organit kompetent, në këtë rast palës së paditur KGJK, nuk nënkupton ndryshim të objektit të kërkesëpadisë, por mënyrë e dhënies së mbrojtjes gjyqësore.
Prandaj, në vendim thuhet se gjykata e shkallës së parë nuk e ka zëvendësuar KGJK-në në ushtrimin e kompetencave të saj administrative, por ka respektuar ndarjen ndërmjet funksionit gjyqësor dhe atij administrativ, duke i ruajtur kompetencat e të paditurit për nxjerrjen e aktit të certifikimit dhe rregullimin e plotë të pasojave të akteve të anuluara.
Gjithashtu, Apeli gjen se vetëm fakti se Gjykata Supreme merr pjesë në procesin zgjedhor nuk është i mjaftueshëm për ta cilësuar atë si organ administrativ vendimmarrës apo për t’i atribuuar aktit të saj një karakter administrativ. Një cilësim i tillë, thuhet se do të kërkonte ekzistencën e një kompetence të posaçme ligjore për marrjen e një vendimi administrativ, e cila në rastin konkret i takon të paditurit.
Shumica e votave në vendim, Apeli ka theksuar se nuk mund të identifikohet me numrin e fletëvotimeve të përdorura, numri i fletëvotimeve të përdorura tregon pjesëmarrjen në procesin e votimit, ndërsa numri i votave të vlefshme përcakton bazën reale mbi të cilën mund të vlerësohet mbështetja e kandidatëve.
Për këtë arsye, në vendim thuhet se nga 34 fletëvotime të përdorura një fletëvotim është i pavlefshëm, baza për përcaktimin e shumicës përbëhet nga 33 votat e vlefshme. Dhe se një konstatim i tillë gjen mbështetje në nenin 9 të Rregullores 09/2019 që përcakton: “Shumica e thjeshtë e të gjithë gjyqtarëve të gjykatës përkatëse, respektivisht të Gjykatës së Apelit apo gjyqtarëve të Gjykatës Supreme duhet të marrin pjesë në votim”.
Ndërkaq, në nën paragrafin 1.9 të nenit , të kësaj Rregulloreje, siç thuhet në vendim, nuk përcaktohet shumicën por kushtin për korum.
Apeli ka cituar edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO47/16, ku sipas tyre, ky aktvendim është nxjerrë në një kontekst tjetër kushtetues dhe normativ, lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe kushtet për zhvillimin e raundeve të votimit të përcaktuara me nenin 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”
The post Apeli i jep të drejtë Mejreme Memajt për anëtare të KGJK-së appeared first on Insajderi.




