Gratë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në drejtimin e kompanive, duke mbajtur vetëm 30,5 për qind të posteve menaxheriale në nivel global, sipas një studimi të publikuar të martën nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO).
Studimi, i mbështetur në të dhëna nga mijëra kompani në 99 vende, evidenton një pabarazi të vazhdueshme në tregun e punës, pavarësisht rritjes së numrit të grave në pozitat e drejtoreshave ekzekutive.

Gjatë një konference për media në Gjenevë, specialistja e lartë e ILO-s, Jae-Hee Chang, tha se pjesëmarrja e grave në poste drejtuese është rritur ngadalë nga rreth 24 për qind që ishte tri dekada më parë, megjithëse ato kanë shënuar përparim të konsiderueshëm në arsim.
Sipas saj, përfshirja më e madhe e grave në drejtim sjell përfitime për bizneset, por një pjesë e konsiderueshme e potencialit të tyre mbetet e pashfrytëzuar.
Raporti e cilëson gjendjen si një “çekuilibër kritik” dhe paralajmëron për shenja të rënies së zbatimit të masave mbështetëse për gratë, përfshirë lejen e lindjes, ndonëse këto masa kanë dëshmuar efektivitet.
ILO u bën thirrje kompanive të ndërmarrin hapa për të larguar pengesat strukturore që kufizojnë përparimin profesional të grave. Raporti thekson se duhen marrë parasysh edhe përgjegjësitë e pabarabarta për kujdesin familjar jashtë vendit të punës, të cilat ndikojnë në mundësitë e tyre për të arritur në pozita drejtuese.
Burimi: Dukagjini




