Është identifikuar personi që humbi jetën në zjarrin që përfshiu një pallat apartamentesh në Winterthur të Zvicrës. Policia kantonale e Cyrihut ka konfirmuar se viktima ishte banori i ndërtesës, i cili ishte raportuar i zhdukur pas shpërthimit të zjarrit.

Trupi i pajetë i tij u gjet të martën në njërin prej apartamenteve në papafingo, ndërsa identifikimi u konfirmua nga policia të mërkurën në mbrëmje.
Shkaqet e zjarrit ende nuk janë përcaktuar. Sipas policisë kantonale të Cyrihut, hetimet për rrethanat dhe shkakun e shpërthimit të zjarrit janë duke vazhduar.
Alarmi për zjarrin ishte dhënë rreth orës 09:30 të martën, shkruan Waston, transmeton Telegrafi.
Kur ekipet e zjarrfikësve mbërritën në vendngjarje, flakët tashmë po dilnin nga çatia e ndërtesës. Për shkak të përhapjes së zjarrit, policia e qytetit të Winterthurit evakuoi të gjithë ndërtesën.
Disa nga apartamentet kanë pësuar dëme të konsiderueshme dhe aktualisht janë të pabanueshme. Për këtë arsye, autoritetet kanë siguruar strehim të përkohshëm për banorët e prekur.
Sipas vlerësimeve fillestare të policisë, dëmet materiale nga zjarri tejkalojnë një milion franga zvicerane.
Ndërkohë, autoritetet po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar se si nisi zjarri dhe cilat ishin rrethanat që çuan në vdekjen e banorit./Telegrafi/




