Çlirim Haziri nga iniciativa “Jo në emrin tim”, gjatë protestës para Kuvendit të Kosovës, u ka bërë thirrje protestuesve që të vazhdojnë qëndrimin në shesh, duke kërkuar njëkohësisht që mjetet piroteknike të mos hidhen në drejtim të Policisë së Kosovës.
Haziri tha se protestuesit duhet të qëndrojnë të qetë dhe të vazhdojnë protestën, ndërsa iu drejtua edhe deputetëve, duke iu referuar përfundimit të mandatit të tyre në mesnatë.
“Nëse vazhdojmë të qëndrojmë këtu në shesh derisa politika jonë të na shohë. Ju kanë mbetur vetëm edhe pak orë e në orën 00:00 t’ju themi nuk do të jeni deputetë. Do të jeni qytetarë të thjeshtë, sepse përfundon mandati i tyre”, tha Haziri.
Ai kërkoi nga protestuesit që të kenë kujdes me mjetet piroteknike dhe të mos i përdorin ato kundër pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
“Ju lutem të keni kujdes me mjetet piroteknike, mos i hidhni në drejtim të policisë”, u shpreh ai.
Haziri tha se Policia e Kosovës duhet të shihet si pjesë e qytetarëve dhe u bëri thirrje protestuesve që të mos përplasen me zyrtarët policorë.
“Policia e Kosovës sot është UÇK-ja jonë që ka qenë dje. Andaj, ne jemi bashkë me policinë”, deklaroi ai.
Në fjalimin e tij, Haziri u bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojnë qëndrimin në shesh, duke theksuar se protesta ka hyrë në ditën dhe natën e 21-të.
Ai tha se protestuesit duhet të vazhdojnë të presin dhe të qëndrojnë në shesh në mbështetje të kërkesës për miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Ju ftoj të presim ashtu siç kemi pritur që 21 ditë e 21 netë këtu në sheshet e Prishtinës, pa u lodhur, ashtu me zemrat e juve të mëdha, të presim e të qëndrojmë për UÇK-në”, tha Haziri.
Protesta po vazhdon para Kuvendit të Kosovës, ndërsa pjesëmarrësit kërkojnë miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara./Telegrafi




