Organizatori i protestave “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka thënë se miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara është meritë e qytetarëve të Kosovës që protestuan për 21 ditë.
I pyetur në “Debat Plus” nëse miratimi i ligjit erdhi si rezultat i protestave apo i “pazareve politike”, Haziri tha se ai beson se merita u takon qytetarëve që, sipas tij, nuk u përkulën dhe nuk u lodhën gjatë 21 ditëve të protestave.

“Mendoj që është meritë e qytetarëve të Republikës së Kosovës, atyre njerëzve të cilët për 21 ditë nuk u përkulën e nuk u lodhën, po qëndruan. Unë i quaj qytetarë të qëndresës dhe njerëz të cilët e ruajtën dinjitetin edhe identitetin tonë kombëtar”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka thënë se do të vazhdojnë ta përcjellin zbatimin e ligjit dhe do të jenë, siç u shpreh, “gardianë” të tij.
“Do të jemi gardian të këtij ligji, do ta ruajmë për UÇK-në dhe do të jemi në çdo shesh e do të jemi gjithkund ku do të ketë nevojë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por gjithsesi ku do të ketë nevojë edhe Republika jonë”, ka thënë Haziri.




