Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza i ka bërë sërish thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe kryetares së Parlamentit, Albulena Haxhiut që ta thërrasin seancën dhe ta votojnë Ligjin për Specialen në lexim të dytë.
“E ftoj kryeministrin dhe Haxhiun që të jenë në sallë dhe ta votojnë ligjin në lexim të dytë”, tha ai para mediave, transmeton Klankosova.tv.
Hamza foli edhe për protestat për të cilat tha se janë demokratike dhe përmes të cilave qytetarët po shfaqin pakënaqësitë e tyre.
“Protesta është e drejt demokratike, njerëzit po shfaqin pakënaqësitë e tyre, po kërkojnë drejtësi, po kërkojnë njohje të të drejtave të njeriut dhe respektimi të tyre, dhe normalisht në kuadër të këtyre protestave po kërkojnë edhe aprovimin e ligjit”.
Ndërkohë kreu i PDK-së i bëri thirrje qeverisë që të ketë kujdes sa i përket menaxhimit të protestave pasi, siç tha, pamjet e shfaqura dje nuk do të donte t’i shihte më.
“Përdorimi i forcës joproporcionale shkakton zemërim, shkakton acarim të masës. Tek e fundit është detyrë e organeve tona që të dinë të menaxhojnë masën dhe ta zbusin tensionin dhe jo të provokojnë skena të tilla çfare i kemi parë. Nuk kam besuar që i shoh këto skena dhe nuk dua të besoj që do të përsëriten. I bëj ftesë Kurtit dhe qeverisë që me pas kujdes të shtuar që të mos prodhohet situatë e tensionuar”./Klankosova.tv




