Pep Guardiola ka bërë një vlerësim të veçantë për rivalitetin mes Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos, duke zbuluar se sipas tij, të dy yjet kanë ndihmuar njëri-tjetrin për të arritur nivelet e jashtëzakonshme në futboll.

Trajneri spanjoll, i cili e ka përjetuar nga afër këtë rivalitet gjatë kohës kur drejtonte Barcelonën, foli për këtë temë në një intervistë me legjendën braziliane Romario, në emisionin e tij “Romario TV”.
Guardiola, i pyetur për Cristiano Ronaldon, nuk kurseu elozhet për yllin portugez, duke e përshkruar atë si një futbollist me mentalitet të jashtëzakonshëm fitues.
“Është një tjetër kafshë konkurruese, dikush që nuk interesohet për asgjë tjetër përveçse të fitojë dhe të dëshmojë veten. Është golashënues, me këmbën e djathtë, të majtën dhe me kokë. I jashtëzakonshëm, vërtet i jashtëzakonshëm”.
Spanjolli pati përballje të shumta me Ronaldon gjatë kohës kur ky i fundit ishte pjesë e Real Madridit, ndërsa rivaliteti mes portugezit dhe Messit u bë një prej temave kryesore të futbollit botëror.
Sipas Guardiolës, konkurrenca mes dy superyjeve ishte një prej faktorëve që i shtyu të dy të arrinin nivele edhe më të larta gjatë karrierës së tyre.
“Besoj se të dy e kanë ndihmuar shumë njëri-tjetrin për ta ruajtur atë nivel. Nëse Messi nuk do ta kishte pasur Cristianon dhe Cristiano nuk do ta kishte pasur Messin, ndoshta do të kishin pasur sezone paksa më të dobëta”.
Ai shtoi se fakti që secili e kishte tjetrin vazhdimisht në garë, i motivonte të mos ndaleshin dhe të kërkonin gjithmonë më shumë.
“E kishin njëri-tjetrin vazhdimisht në vëmendje, duke parë se çfarë po bënte tjetri. Kjo i bënte të mendonin: Dua të jem më i mirë se ai, dua të fitoj më shumë se ai. Kjo u dha shtysën për ta bërë hapin tjetër. Kjo është ajo që përfaqëson sporti”, përfundoi Guardiola./Telegrafi/





