Qeveria gjermane është e shqetësuar për mundësinë e përhapjes së luftës në Ukrainë drejt rrugëve detare të tregtisë, veçanërisht pas sulmeve ukrainase ndaj një anijeje luftarake ruse në portin libian të Bengazit dhe një anijeje mallrash në Detin Baltik.

Lajmi është raportuar nga revista gjermane “Der Spiegel”, e cila citon burime pranë qeverisë dhe strukturave të sigurisë në Gjermani, transmeton Telegrafi.
Sipas revistës, qeveria federale gjermane prej kohësh ka frikë nga një skenar në të cilin Ukraina do ta shtrijë gjithnjë e më shumë luftën kundër Rusisë edhe në Detin Baltik dhe zona të tjera detare.
Burime të sigurisë në Gjermani kanë paralajmëruar se zgjerimi i luftimeve në këtë rajon bart rrezik të paparashikueshëm për përshkallëzim të konfliktit. Për këtë arsye, sipas raportimit, Berlini u ka bërë thirrje autoriteteve ukrainase që të tregojnë përmbajtje në nivele të ndryshme gjatë javëve të fundit.
Edhe zyrtarë të politikës së jashtme në partitë e koalicionit qeverisës po e përcjellin situatën me shqetësim. Vëmendja e tyre është shtuar edhe për shkak të sondazheve të fundit, të cilat tregojnë se mbështetja e opinionit publik gjerman për ndihmën ndaj Kievit është në rënie.
Adis Ahmetoviq, zëdhënës për politikën e jashtme i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate (SPD) në Bundestag, i tha “Der Spiegel” se Gjermania vazhdon ta mbështesë Ukrainën në mbrojtjen kundër luftës agresore të Rusisë.
Megjithatë, ai theksoi se gjatë operacioneve ushtarake në rajonin e Detit Baltik nevojitet kujdes i veçantë, në mënyrë që të garantohet siguria e vendeve bregdetare dhe liria e lundrimit. /Telegrafi/





