Ëndërrat kanë kuptim vetëm atëherë kur nisin të marrin formë, kur përballojnë sfidat dhe kur realizohen, ndoshta edhe më mirë se sa mund të imagjinohet.
Ky është shpjegimi më i mirë, i rrugëtimit dhe gërshetimit mes pasionit dhe profesionit të Agron Zeqirit, shqiptarit që la Kosovën në vitin 2008, për ta vazhduar karrierën e tij, në Zvicër.
Por, kjo gjë nuk nënkuptonte shkëputje nga vendlindja, misioni i gastronomit ishte akoma më vizionar, dërgimi në Zvicër të një pjese të traditës, kulturës dhe identitetit shqiptar, që nuk lidhet vetëm me ushqimin, por, edhe me ndjesinë dhe ngrohtësisë familjare, që ia ofron gatimi i ushqimeve shqiptare.
Ai atje ka formuar edhe një agjensi të organizimit të eventeve, që e quajti “RIGA Events”, e që e lidhi me emrin e vajzës së tij të vogël.
Në një intervistë për Telegrafi Diasporë, Zeqiri shpjegoi si ishte ideja që të bënte organizime të tilla dhe t’ua dërgonte shqiptarëve atje shijen shqip, si në ushqim, ashtu edhe në formën se si shqiptarët kanë festuar gjithmonë.
“Para rreth shtatë vitesh vendosëm që edhe këtu në Zvicër ta përfshijmë më shumë kuzhinën tradicionale shqiptare, me flinë dhe specialitete të tjera tradicionale. Kjo u prit shumë mirë si nga mërgata shqiptare, ashtu edhe nga klientët zviceranë.
Pas gjithë kësaj përvoje lindi dëshira për të krijuar diçka timen. Kështu lindi RIGA Events. Jam baba i tri vajzave dhe vajza ime më e vogël quhet Riga. Pikërisht prej saj vjen edhe emri RIGA Events, një emër me kuptim shumë personal për mua.
Sot merremi me catering për dasma, fejesa, festa familjare, apero, evente biznesi dhe organizime të ndryshme. Ofrojmë kuzhinë shqiptare, italiane, mesdhetare dhe ndërkombëtare, duke e përshtatur çdo ofertë sipas klientit dhe karakterit të eventit” tha ndër tjera, ai.
Kur jemi te kuzhina shqiptare, Agron Zeqiri tregoi se edhe shumë zviceranë i ka njoftuar me shijet tradicionale, përfshirë edhe turshitë.
“Kemi pasur shumë mundësi t’ua prezantojmë klientëve zviceranë ushqimet tradicionale shqiptare dhe reagimet kanë qenë shumë pozitive. Shumë prej tyre janë kureshtarë të dinë se çfarë janë, si përgatiten dhe nga vijnë. Një shembull është flija me saç, të cilën e përgatisim vetë, me kujdes dhe durim, ashtu siç e kanë bërë nënat tona.
Po ashtu, turshitë tradicionale i përgatisim vetë, duke ruajtur shijen e shtëpisë dhe të vendlindjes.
Për mua është kënaqësi kur një klient zviceran provon për herë të parë një ushqim tradicional shqiptar, i pëlqen dhe dëshiron të dijë më shumë. Në atë moment nuk po prezantojmë vetëm ushqim, por edhe një pjesë të kulturës sonë” ka shtuar ndër tjera.
Po për shijën dhe përgatitjen e flisë, çfarë mendimi kanë zviceranët? Përgjigjen na ka dhënë vetë gastronomi, duke zbuluar edhe reagimet e kilentëve joshqiptarë.
“Shumë zviceranë e kanë provuar flinë dhe reagimet kanë qenë shumë të mira. Flija tërheq vëmendjen edhe për shkak të mënyrës tradicionale të përgatitjes. Kur u shpjegojmë se përgatitet me saç dhe sa kohë, kujdes e durim kërkon, bëhen edhe më kureshtarë. Për mua flija nuk është vetëm ushqim. Ajo lidhet me familjen, vendlindjen, traditën dhe mënyrën si kanë gatuar nënat tona. Kur një zviceran e provon dhe e vlerëson, është kënaqësi e veçantë, sepse po prezantojmë edhe një pjesë të traditës shqiptare” theksoi Zeqiri.
I pyetur për dallimet mes mikpritjes në Kosovë dhe në Zvicër, sa u përket klientëve, Zeqiri tha se te ne shqiptarët, ngrohtësia ndaj mikut është më e madhe dhe më familjare, kurse, te zviceranët ka mësuar më shumë për organizimin, precizitetin dhe higjenën.
Por, qëllimi i tij është që t’i bashkojë të dyja, gjatë shërbimit ndaj klientit. Tw paktwn ky wshtw misioni i RIGA EVENTS.
“Sot, me RIGA Events, dua ta vazhdoj këtë histori në mënyrën time: ta ruaj atë që kemi të bukur nga tradita jonë dhe njëkohësisht ta prezantoj në mënyrë moderne dhe profesionale. Fakti që biznesi mban emrin e vajzës sime më të vogël, Riga, e bën gjithë këtë rrugëtim edhe më personal për mua.
Për mua gastronomia nuk është vetëm përgatitja e ushqimit. Është mikpritje, atmosferë, respekt ndaj klientit dhe krijimi i kujtimeve të bukura. Ky është RIGA Events për mua: përvoja ime shumëvjeçare, familja ime, tradita jonë dhe dëshira për t’i sjellë të gjitha këto së bashku në një nivel profesional në Zvicër” shtoi Zeqiri.
Për fund, Agroni u ka bërë thirrje shqiptarëve që të mos heqin dorë nga dëshirat e tyre, pavarësisht kufijëve, pasi, asgjë nuk e ndalon një ëndrrimtar!/Telegrafi/




