Qeveria franceze ka bërë lëshimin e parë ndaj protestuesve të rinj, duke premtuar angazhimin e 3 mijë mësimdhënësve zëvendësues në ditët në vijim, pas disa javësh protestash për më shumë burime në arsimin e mesëm.

Ministri i Arsimit, Edouard Geffray, e bëri njoftimin të enjten mbrëma, pas një dite tjetër protestash, disa prej të cilave u shoqëruan me dhunë.
Sipas qeverisë, që nga fillimi i protestave janë arrestuar 6 mijë e 877 persona, 86 për qind e të cilëve janë nën moshën 18-vjeçare.
Të enjten, rreth 71 mijë persona protestuan në mbarë vendin, ndërsa 24 mijë prej tyre u mblodhën në Paris. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë grupet që e sulmuan me gurë dhe mjete piroteknike të improvizuara.
Në Bordo, një shkollë e mesme u dëmtua nga protestuesit, ndërsa në Marsejë u sulmua një zëvendësdrejtor shkolle, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv
Të premten, rreth 140 nga gjithsej 3 mijë e 500 shkolla të mesme në Francë ishin plotësisht ose pjesërisht të mbyllura. Megjithatë, sindikatat kanë paralajmëruar një tjetër ditë protestash për të martën e ardhshme.
Ministri Geffray tha se, përmes një sistemi të ri kompjuterik, 3 mijë mësimdhënës zëvendësues do të mund të caktohen në rreth 500 shkolla që kanë nevojën më të madhe për staf. Shumë prej tyre ndodhen në periferi urbane me përqendrim të lartë të popullsisë me prejardhje nga emigracioni.
Ai gjithashtu premtoi më shumë financim për mësimdhënësit që pranojnë të punojnë orë shtesë dhe tha se kërkesat e nxënësve do të merren parasysh gjatë diskutimeve për buxhetin shtetëror të vitit 2027.




