Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se kjo parti nuk ndihet e mashtruar apo e tradhtuar lidhur me zgjedhjen e presidentes, duke theksuar se PDK-ja ka vepruar mbi parime dhe përgjegjësi institucionale.
Në një postim në Facebook, ajo ka thënë se edhe kësaj radhe PDK-ja i ka dhënë Kosovës institucione, duke kërkuar që kritikat të mos drejtohen ndaj kryetarit të partisë, Bedri Hamza, apo ndaj vetë PDK-së.

“PDK nuk u mashtrua e as nuk u tradhtua, sepse nuk ka qenë pjesë e lojërave politike, por pjesë e parimeve!
Edhe kësaj radhe PDK i ka dhënë Kosovës institucione, përgjegjësi shtetërore dhe, mbi të gjitha, përkushtim për mbrojtjen e sakrificës dhe të luftës sonë çlirimtare.
Prandaj, mos i ktheni shigjetat kah Bedri Hamza e kah PDK-ja!
Nuk mund të kërkohet dorëheqje individuale për vendime që nuk janë marrë individualisht. Përgjegjësia duhet të jetë aty ku janë marrë vendimet.
Ne, si gjithmonë, qëndrojmë me përgjegjësi institucionale, por mbi të gjitha me përgjegjësi ndaj këtij vendi. Ndaj kësaj toke ku kemi rrënjët, ku prehen stërgjyshërit tanë dhe ku po rriten fëmijët tanë.
Sepse për ne, Kosova nuk është lojë politike. Është atdheu ynë, përgjegjësia jonë dhe amaneti që nuk e tradhtojmë”, ka shkruar Musliu-Shoshi.
Burimi: Dukagjini




