Xhudistja kosovare, Fatjona Kasapi, ka nisur me fitore garimin në Grand Prix të Zagrebit, duke triumfuar ndaj serbes Andrea Stojadinov në kategorinë deri në 52 kilogramë.

Kasapi e fitoi përballjen e parë në këtë garë pas një dueli të fortë, ku triumfoi me Yuko në kohën shtesë, duke siguruar kështu kalimin në raundin e ardhshëm.
Kjo fitore merr rëndësi të veçantë edhe për faktin se kundërshtare kishte xhudisten serbe Stojadinov, ndërsa Kasapi tregoi qëndrueshmëri dhe arriti ta mbyllte me sukses përballjen.
Sipas shortit zyrtar të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF), kundërshtarja e radhës e Kasapit do të jetë austriakja Carina Klaus-Sternwieser.
Kjo përballje është pjesë e garës për të siguruar triumfin në Pool B dhe për të vazhduar drejt fazës gjysmëfinale.
Ndërkohë, fitore në këtë Grand Prix ka regjistruar edhe xhudistja tjetër kosovare, Flaka Loxha, duke e nisur gjithashtu me sukses paraqitjen në Zagreb.
Grand Prix i Zagrebit po mbahet nga 13 deri më 15 nëntor, me pjesëmarrjen e xhudistëve nga 66 shtete. /Telegrafi/





