Thijs Reuten, eurodeputeti holandez i ftuar në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ka folur për zhvillimet e fundit politike në Serbi dhe pritshmëritë për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Reuten ka vlerësuar se fitorja e Listës së Studentëve në Serbi krijon arsye për optimizëm, por ka theksuar se është ende herët për të gjykuar qeverinë e re në Beograd, pasi ajo ende nuk e ka filluar punën.
Ai ka thënë se i ka lexuar disa pjesë të manifestit politik të kësaj liste, duke theksuar se pret që fillimisht të formohet qeveria e re dhe të shihet se cilat do të jenë prioritetet e saj konkrete.
Sipas Reutenit, ka shpresë për ndryshim në një afat të shkurtër sepse Lista Studentore ka një element kyç në programin e tyre – llogaridhënie, drejtësi dhe transparencë.
“Unë vërtet shpresoj se qeveria e re serbe, pavarësisht qëndrimit të saj në dialogun me Kosovën, në çështjen e përgjegjësisë do të bëjë ndryshimin”, ka deklaruar Reuten për sulmin në Banjskë.
Ai ka theksuar se ndëshkimi i përgjegjësve për sulmin në Banjskë do të ishte në përputhje me parimet e drejtësisë dhe llogaridhënies, të cilat Lista e Studentëve i ka përfshirë në programin e saj politik.
Sipas tij, një veprim i tillë mund t’i japë një impuls të ri procesit të dialogut Kosovë-Serbi dhe do të ishte mirë nëse Qeveria e re në Serbi vepron kështu.
Megjithatë, Reuten ka nënvizuar se Kosova duhet të vazhdojë të fokusohet edhe në çështjet e brendshme, duke mos e lënë anash zhvillimin e vendit për shkak të procesit të dialogut.
Ai ka kritikuar gjithashtu qasjen e Bashkimit Evropian, duke vlerësuar se nganjëherë dialogut Kosovë-Serbi i jepet rëndësi e tepruar dhe sipas tij i jep veto secilit që dëshiron ta pengoj dialogun.
Në fund, Reuten ka bërë thirrje për durim, duke theksuar se qeverisë së re në Serbi duhet t’i jepet kohë, por njëkohësisht duhet të kërkohet prej saj energji dhe vullnet i ri për ta çuar përpara dialogun Kosovë-Serbi.




