Steve Witkoff dhe Jared Kushner pritet të takohen me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë më 12 nëntor, tha Kushner për gazetarët pas dy ditësh bisedimesh në Abu Dabi. Ai shtoi se më pas do të udhëtojnë drejt Dublinit, ku do ta njoftojnë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për zhvillimet.
Dita e dytë e bisedimeve trepalëshe në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe përfundoi pas rreth dy orësh.

Menjëherë pas përfundimit të bisedimeve, që ishin të parat të drejtpërdrejta mes zyrtarëve rusë dhe ukrainas që nga shkurti, kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinsky, njoftoi se Moska dhe Kievi kishin arritur marrëveshje për një shkëmbim të ri dhe të madh të të burgosurve.
“Kemi arritur një marrëveshje në parim për një shkëmbim të ri dhe në shkallë të gjerë të të burgosurve. Hollësitë konkrete do të bëhen të ditura së shpejti”, u tha ai gazetarëve rusë në Abu Dabi.
Zelensky, duke folur në një konferencë për media në Dublin më vonë, tha se Ukraina shpreson që rezultatet konkrete në bisedimet për t’i dhënë fund luftës me Rusinë të arrihen brenda këtij viti. Megjithatë, ai theksoi se shumëçka varet nga qasja e Shteteve të Bashkuara ndaj Moskës.
“Po i përjetojmë këto sulme masive. Natyrisht, duam të arrijmë rezultate deri në fund të këtij viti dhe, natyrisht, do të bëjmë gjithçka që kjo të ndodhë”, tha ai.
Ai shtoi se shumëçka varet nga “vullneti i palës amerikane për të ushtruar apo jo trysni ndaj Rusisë; kjo varet nga formati i dialogut të saj me rusët”.
Bisedimet u mbajtën në kuadër të përpjekjeve të reja të Shtëpisë së Bardhë për të gjetur një zgjidhje që do t’i jepte fund luftës në Ukrainë – konfliktit më të madh dhe më të përgjakshëm tokësor në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në Abu Dabi u zhvilluan edhe konsultime me përfaqësues të Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë, NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Ukrainës.
Megjithatë, këto takime me përfaqësuesit amerikanë ishin të ndara nga bisedimet trepalëshe mes SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë.
Ukraina njoftoi më herët se delegacioni i saj do të takohej me përfaqësuesit amerikanë dhe evropianë pas përfundimit të negociatave me Rusinë.
Pavarësisht bisedimeve, Rusia vazhdoi sulmet ndaj Ukrainës.
Një sulm me dronë la pjesërisht pa energji elektrike dhe ngrohje qytetin Krivij Rih, në pjesën jugqendrore të Ukrainës, njoftuan autoritetet lokale.
Nga sulmi u dëmtuan ndërtesa banimi, shkolla dhe kopshte fëmijësh, tha Oleksandr Vilkul, kreu i Këshillit të Mbrojtjes së Krivij Rihut.
Kryeministri ukrainas, Serhiy Koretskiy, njoftoi më 11 nëntor se Rusia kishte sulmuar gjatë natës gjashtë objekte të rëndësishme të furnizimit me energji elektrike në katër rajone të Ukrainës.
Sipas tij, në shënjestër të sulmeve ishte edhe infrastruktura hekurudhore në rajonet e Dnipropetrovskut dhe Zhitomirit.
Ndërkohë, guvernatori i rajonit rus të Leningradit, Aleksandr Drozdenko, njoftoi në Telegram se mbrojtja ajrore ruse kishte rrëzuar 150 dronë ukrainas mbi këtë rajon, gjatë natës.
Sipas Drozdenkos, disa dronë goditën zonën e portit Ust-Luga, ku ndodhet qendra më e madhe ruse për eksportin e energjisë dhe naftës në Detin Baltik.
Sulmi shkaktoi zjarr dhe la të plagosur tre punëtorë.
Në një sulm tjetër, dy persona humbën jetën pasi mbetjet e një droni goditën një ndërtesë banimi në rajonin rus të Smolenskut, që kufizohet me Bjellorusinë, njoftuan autoritetet rajonale.
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi më 11 nëntor se forcat e saj të mbrojtjes ajrore kishin kapur dhe shkatërruar 627 dronë ukrainas gjatë natës.
Ushtria ukrainase nuk i konfirmoi sulmet në territorin rus.
Burimi: RTKLive





