Atletico Madridi po përgatit një lëvizje për transferimin e Alejandro Baldes nga Barcelona në afatin kalimtar të janarit, pasi mbrojtësi i majtë nuk bën më pjesë në planet kryesore të trajnerit Hansi Flick.

Sipas gazetës Marca, drejtuesit sportivë të klubit madrilen e kanë identifikuar krahun e majtë të mbrojtjes si një repart që duhet përforcuar, me synimin për të pasur konkurrencë të drejtpërdrejtë me Alex Grimaldon.
Atletico dëshiron të përfitojë nga pakënaqësia e Baldes me situatën e tij te Barcelona, ku minutat e lojës dhe rëndësia e tij në skuadër kanë rënë ndjeshëm nën drejtimin e Flickut.
Situata u bë edhe më e qartë në fitoren 2-1 të Barcelonës ndaj Atletico Madridit më 8 nëntor, kur Balde qëndroi gjatë gjithë ndeshjes në bankën rezervë, pa u aktivizuar.
Në atë takim, Flick bëri disa ndryshime në repartin defensiv, duke përdorur Frenkie de Jongun si zgjidhje emergjente në krahun e djathtë, ndërsa Gerard Martin dhe Eric Garcia u angazhuan në qendër të mbrojtjes.
Ky vendim shihet si një tjetër dëshmi e rolit dytësor të Baldes në planet e trajnerit gjerman.
Në fund të tetorit, Flick kishte folur edhe për nevojën që mbrojtësi të rikthente vetëbesimin, në mënyrë që të arrinte sërish nivelin e kërkuar për presionin dhe depërtimet në sulm që kërkon sistemi i tij taktik.
Duke parë se nuk është ndër zgjedhjet e para të stafit teknik, Balde raportohet se ka kërkuar nga përfaqësuesit e tij të shqyrtojnë mundësinë e largimit në afatin kalimtar të janarit, në mënyrë që të mos pengohet zhvillimi i tij në karrierë./Telegrafi





