Detaje të reja janë zbardhur nga krimi i rëndë që ndodhi më 9 tetor në Livoq të Ulët të Gjilanit, ku dy persona mbetën të vrarë dhe një tjetër u plagos rëndë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se Policia ka pranuar informatën për të shtëna me armë rreth orës 14:26, ndërsa njësitë relevante dhe ekipet emergjente janë nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes.
Në vendngjarje është gjetur pa shenja jete Egzon Bugujevci, ndërsa Mazllum Bugujevci është gjetur i plagosur rëndë dhe është dërguar me autoambulancë për trajtim emergjent.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, vetura e të dyshuarit ishte larguar nga lokacioni, çka ka bërë që Policia të aktivizojë menjëherë “Unazën e Çeliktë” për lokalizimin e tij.
Por vetëm 16 minuta pas raportimit të rastit, rreth orës 14:42, i dyshuari Valon Ramushi është vetëdorëzuar në Stacionin Policor.
Ramushi u ka deklaruar policëve se veturën e kishte lënë në oborrin e Emergjencës. Brenda saj është gjetur bashkëshortja e tij, Nafije Bugujevci, e cila pas konstatimit nga ekipi mjekësor rezultoi pa shenja jete.
Sipas dyshimeve të para të hetuesve, Valon Ramushi dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij dhe Egzon Bugujevcin, ndërsa një person tjetër është plagosur.
I dyshuari është marrë në intervistim nga Hetimet Rajonale, ndërsa njësitë relevante kanë vazhduar përpunimin e vendit të ngjarjes dhe sigurimin e zonave të lidhura me rastin.
Rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”, ndërsa hetimet për motivin dhe dinamikën e plotë të ngjarjes po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Ekskluzive | Detaje të reja nga krimi në Gjilan: Policia aktivizoi “Unazën e Çeliktë”, Valon Ramushi u vetëdorëzua vetëm 16 minuta më vonë appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




