Hetimet për rastin e sulmit ndaj shtetasit turk në Prizren, i cili dyshohet se ishte futur me forcë në një veturë dhe ishte dërguar në Prishtinë, ku ishte mbajtur për rreth 12 orë kundër vullnetit të tij, kanë sjellë një zhvillim të ri.

Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren kanë arritur ta arrestojnë edhe personin e pestë të dyshuar në këtë rast, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për shtetasin turk Mehmet Perçem, rreth 38-vjeçar, i cili ishte identifikuar më herët si njëri nga pesë personat e dyshuar për sulmin ndaj S.B., rreth 44-vjeçar.
Me arrestimin e tij, tashmë janë arrestuar të pesë personat e dyshuar për këtë rast, i cili dyshohet se ndodhi më 1 nëntor, në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren.
Siç është raportuar më herët, viktima kishte deklaruar se ishte sulmuar nga disa persona të njohur për të, të cilët fillimisht e kishin goditur në pjesë të ndryshme të trupit dhe më pas e kishin futur me forcë në një automjet Volkswagen të bardhë.
Ai ishte dërguar në një shtëpi private në Prishtinë, ku dyshohet se ishte mbajtur për rreth 12 orë dhe ishte detyruar të tërhiqej nga punimet ndërtimore që po realizonte në një objekt banesor në Prizren.
Rasti është iniciuar për veprat penale “Shtrëngimi”, “Privimi i kundërligjshëm nga liria” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”, ndërsa hetimet po zhvillohen nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, në koordinim me Prokurorinë.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




